GREVA DHE PROTESTA TRONDITIN FRANCËN

Protesta dhe greva transporti paralizojnë Francën, duke penguar metronë e Parisit dhe trafikun në shumë qytete, ndërsa mijëra qytetarë përballen me qeverinë e presidentit Emmanuel Macron për shkak të planit për të shkurtuar financimet e shërbimeve publike që mbajnë modelin tradicional francez të jetesës.

Policia përdori gaz lotsjellës para agimit gjatë përleshjeve me protestuesit në Paris, ndërsa në gjithë Francën u mbajtën demonstrata ku pritej pjesëmarrja e qindra mijëra qytetarëve për të protestuar kundër varfërisë në rritje, pabarazisë dhe vështirësive ekonomike që përballen punëtorët me paga të ulëta.

“Ne i themi ‘jo’ qeverisë. Na ka ardhur në majë të hundës. Nuk ka më para, kosto e jetesës është e lartë,” tha punëtorja e transportit në grevë, Nadia Belhoum, në një protestë para-agimi që kishte në shënjestër një depo autobusësh në Paris. Ajo përshkroi “njerëz që agonizojnë, shtrydhen si limon edhe kur s’ka më lëng”, raporton AP.

Sindikatat kërkojnë anulimin e shkurtimeve buxhetore, ngrirjes së përfitimeve sociale dhe masave të tjera shtrënguese, duke paralajmëruar se këto do të godasin më shumë punëtorët me paga të ulëta dhe klasën e mesme, në të kundërtën do të veprojnë si më parë, ashtu siç kanë rrëzuar qeveri të tjera që tentuan masa kursimi.

Kundërshtarët e udhëheqjes pro-biznes të Macronit ankohen se shërbimet publike të financuara nga taksapaguesit, shkollat falas dhe spitalet publike, kujdesi shëndetësor i subvencionuar, përfitimet e papunësisë dhe rrjetet e tjera të sigurisë që vlerësohen në Francë, po gërryhen. Partitë e majta dhe mbështetësit e tyre kërkojnë që të pasurit dhe bizneset të paguajnë më shumë, në vend se të bëhen shkurtime shpenzimesh për të mbushur boshllëqet në financat e Francës dhe për të frenuar borxhin e saj.

“Shërbimi publik po shkatërrohet,” tha mësuesja Claudia Nunez. “Gjithmonë janë të njëjtët njerëz që paguajnë”.

SHARE