MARRËVESHJE HISTORIKE MES SHBA-së DHE BRITANISË / TRUMP DHE STARMER FIRMOSIN “TECH PROSPERITY DEAL”

Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar sot marrëveshjen e re ekonomike dhe teknologjike, të cilën kryeministri Keir Starmer e quajti “më të madhen në historinë e Britanisë, me një diferencë të madhe”.

Sipas tij, marrëveshja përfshin investime me vlera miliarda dollarëshe në të dy anët e Atlantikut, që do të gjenerojnë mijëra vende pune dhe do të përmirësojnë jetën e qytetarëve britanikë. “Kjo është fuqia e partneritetit tonë”, deklaroi Starmer, duke përmendur gjithashtu marrëveshjen e majit për tarifat, ku Mbretëria e Bashkuar siguroi “tarifat më të ulëta në botë në sektorët jetikë”.

Në këtë samit u prezantua edhe partneriteti i ri në fushën e teknologjisë – “Tech Prosperity Deal”, një plan që synon të garantojë epërsi ekonomike dhe inovacion në dekadat e ardhshme. Po ashtu, është arritur një marrëveshje për energjinë bërthamore civile, që do të furnizojë me energji miliona biznese dhe do të ulë faturat e konsumatorëve.

Nga ana e tij, Presidenti amerikan Donald Trump e përshëndeti nismën, duke e cilësuar aleancën mes dy vendeve si një “trashëgimi të paçmuar” dhe një “lidhje të pathyeshme”. Ai theksoi se SHBA dhe Britania po ndërtojnë së bashku kapacitete industriale që forcojnë jo vetëm ekonomitë, por edhe sigurinë e të dy vendeve.

“Ky është një partneritet i natyrshëm, ndoshta më i forti në botë”, tha Trump, duke falënderuar edhe Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla për pritjen gjatë vizitës së tij të dytë shtetërore në Londër.

SHARE