Foto: Banka Zhvillimore
Delegacioni i Komitetit për Kontrollin e Buxhetit të Parlamentit Evropian, i kryesuar nga Niclas Herbst, zhvilloi një takim në Podgoricë me drejtuesit e Bankës Zhvillimore të Malit të Zi.
Ata vlerësuan se aftësia e kësaj banke për të financuar projekte të qëndrueshme është vendimtare për zbatimin e programeve investuese të BE-së në Mal të Zi.
„Si mjet kryesor për orientimin e investimeve në ekonominë reale të Malit të Zi – veçanërisht në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, iniciativat e gjelbra dhe sektorët strategjikë – Banka Zhvillimore zotëron ekspertizë që mund të mbështesë ndjeshëm objektivat investuese të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje“, deklaruan eurodeputetët.
Ata shtuan se aftësia e konfirmuar për të identifikuar dhe financuar projekte të qëndrueshme në sektorin privat do të jetë kyçe për zbatimin e suksesshëm të iniciativave të ardhshme të financuara nga BE.
Kryetari i Bordit Drejtues të Bankës Zhvillimore, Nikola Tripkoviq, tha se kjo institucion është trashëgimtare e Fondit për Zhvillim dhe Investime dhe një partner i rëndësishëm për ekonominë malazeze.
Ai theksoi se investimet që tejkalojnë 2 miliardë euro dëshmojnë rolin e tyre, duke u fokusuar në mbështetjen e bizneseve të të gjitha madhësive, projekteve infrastrukturore dhe atyre me rëndësi lokale dhe shtetërore, si dhe në transformimin digjital dhe financimet e gjelbra.
Tripkoviq veçoi bashkëpunimin me Bankën Evropiane të Investimeve si kyç:
“Kemi mbështetur mbi 1.550 kredi në vlerë totale prej 520 milionë eurosh, jo vetëm me financim, por edhe me ndihmë teknike dhe transferim njohurish.”
Përfaqësuesit e Bankës Zhvillimore theksuan rëndësinë e përdorimit të instrumenteve të tjerë financiarë të BE-së, veçanërisht granteve për komunat më pak të zhvilluara, sipërmarrësit e rinj, të rinjtë dhe gratë në biznes.
Në takim u diskutuan gjithashtu temat si: mbrojtja e mjedisit, projektet e gjelbra, turizmi, transporti dhe bashkëpunimi rajonal për shfrytëzimin e fondeve të BE-së.