MINISTRIA E DREJTËSISË E MALIT TË ZI MBËSHTET NDRYSHIME LIGJORE PËR TË NDËSHKUAR MË ASHPËR ABUZIMET ZGJEDHORE

Foto: Shutterstock

Ministria e Drejtësisë e Malit të Zi ka reaguar pozitivisht ndaj iniciativës së anëtarëve të Komisionit për Reformën Zgjedhore, Nikolla Rakoçeviq dhe Vasilije Çarapiq, për të ndryshuar dhe plotësuar Kodin Penal në mënyrë që disa veprime të dëmshme në procesin zgjedhor të trajtohen si vepra penale, dhe jo më si kundërvajtje.

Ministria ka pranuar shumicën e propozimeve, përfshirë:

  • Falsifikimin e nënshkrimeve të votuesve për përpilimin e listave zgjedhore, që do të sanksionohet përmes nenit ekzistues 413 të Kodit Penal.
  • Marrja me vetëdije e përfitimeve nga donacionet e paligjshme, si dhe rritja e dënimeve me burg për financim nga burime të ndaluara.

Megjithatë, për disa propozime, Ministria sugjeron që së pari duhet të ndryshohet ligji për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, që ato vepra të mos konsiderohen më kundërvajtje, por krim.

Ministria thekson nevojën për të dalluar midis veprimeve me qëllim të plotë dhe atyre nga pakujdesia, duke propozuar ndëshkime më të lehta në rastet kur mungon qëllimi i qartë për shkelje.  

Gjithashtu, është pranuar propozimi për të ndëshkuar fshehjen e donacioneve ose përfitimeve, nëse ato tejkalojnë 10% të shumës maksimale të lejuar me ligj, duke e trajtuar këtë si vepër penale.

Në fund, Ministria thekson se është duke përgatitur projektligjin për ndryshimet në Kodin Penal, në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe në kuadër të obligimeve nga IPA 2024. Drafti pritet të dorëzohet në Komisionin Evropian dhe në Kuvendin e Malit të Zi brenda tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.

SHARE