PAPA LEONI XIV BËN THIRRJE PËR ARMËPUSHIM NË GAZA DHE RESPEKTIM TË LIGJIT NDËRKOMBËTAR HUMANITAR

Papa Leoni XIV tha se palestinezët në Gaza po përpiqen të mbijetojnë në frikë dhe në kushte të papranueshme, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe respektim të ligjit ndërkombëtar humanitar, transmeton Anadolu.

Papa, i cili mbajti audiencën e tij të përgjithshme e të mërkurave në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, vlerësoi zhvillimet në Gaza, e cila është nën sulmin izraelit.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për popullin palestinez në Gaza. Ata vazhdojnë të mbijetojnë në frikë dhe në kushte të papranueshme. Ata janë të detyruar të largohen nga tokat e tyre”, tha Papa Leoni XIV.

“Në prani të Zotit, i cili urdhëroi ‘Nuk do të vrasësh’, dhe në dritën e gjithë historisë njerëzore, çdo qenie njerëzore ka një dinjitet të paprekshëm që duhet të respektohet dhe mbrohet gjithmonë”, u shpreh ai, duke shtuar:

“E përsëris thirrjen time për armëpushim, për lirimin e pengjeve, për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike përmes negociatave dhe për respektim të plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar. I ftoj të gjithë të bashkohen me mua në lutjen time të sinqertë për agimin e shpejtë të paqes dhe drejtësisë”.

Këto fjalë të papës u duartrokitën nga mijëra të mbledhur në shesh.

Papa Leoni XIV telefonoi dje Priftin Gabriel Romanelli të Kishës së Familjes së Shenjtë në Rripin e Gazës dhe shprehu shqetësimin e tij për ngjarjet në rajon.

SHARE