SPAJIQ: MESAZH I QARTË I SUNDIMIT TË LIGJIT, MALI I ZI MË NË FUND KA SHKËPUTUR LIDHJET ME TË KALUARËN E KONTRABANDËS

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Shkatërrimi i një milion e 700 mijë kilogramëve duhan të sekuestruar në Zonën e Lirë “Porti i Tivarit”, me vlerë afër 200 milionë euro, është një tregues i vendosmërisë së shtetit për të ndërprerë praktikën e kontrabandës, ka deklaruar kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.

Kryeministri Spajiq, anëtarët e ekipit koordinues për regjistrimin e mallrave të konfiskuara në Zonën e Lirë “Porti i Tivarit”, përfaqësues të Delegacionit të BE-së dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Mal të Zi, kanë zyrtarizuar përfundimin e aktiviteteve për shkatërrimin e produkteve të sekuestruara të duhanit në këtë Zonë të Lirë.

“Kjo është një sinjal i qartë i sundimit të ligjit, jo vetëm për opinionin vendas por edhe për të gjithë botën, se Mali i Zi më në fund i ka dhënë fund së kaluarës kontrabanduese. Në mënyrë transparente dhe miqësore me mjedisin, dhe në bashkëpunim me partnerët tanë nga BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, është shkatërruar një milion e 700 mijë kilogramë duhan. Kjo përbën 90 për qind të sasisë totale të produkteve të duhanit që ndodheshin në magazinat e Zonës së Lirë ‘Porti i Tivarit’.

Pjesa tjetër e cigareve është pjesë e procedurave penale dhe është përjashtuar nga procesi i shkatërrimit pasi janë prova materiale,” theksoi Kryeministri.

Ai shtoi se vlera e cigareve të shkatërruara, nëse do të ishin shitur në treg, do të arrinte gati 200 milionë euro, duke marrë parasysh çmimin minimal me pakicë të cigareve në Mal të Zi.

Shkatërrimi u krye në mënyrë të besueshme dhe të organizuar mirë, duke mbrojtur mjedisin, nga ndërmarrja “Deponia” e Podgoricës – gjithçka u bë me një makinë industriale moderne për grimcim në vendngjarje dhe nën mbikëqyrje video, tha Kryeministri.

SHARE