MALI I ZI, DESTINACION PREMTUES PËR INVESTIME DHE TURIZËM

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, vuri në pah potencialin e jashtëzakonshëm të Malit të Zi, duke theksuar se Mali i Zi me bukuritë natyrore, burimet dhe mikpritjen e tij është në krye të vendeve ku ia vlen të investohet dhe të nis biznes.

“Jam i sigurt që ju, si biznesmenë të njohur dhe investitorë, jeni përditë në pozicionin për të vlerësuar investimet tuaja të ardhshme. Prandaj jam i bindur që Mali i Zi, me bukuritë dhe burimet e tij natyrore, si dhe mikpritjen, është në krye të vendeve ku vërtet ia vlen të investosh dhe të fillosh një biznes. Pikërisht takime të tilla përbëjnë një kontribut në rrugën e Malit të Zi drejt BE-së,” thotë Camaj.  

Ai shtoi se Mali i Zi dëshiron të zhvillohet, por edhe të ruajë pasuritë e saj natyrore për brezat e ardhshëm.

Në fund të fjalës së tij, ai i uroi sërish mysafirëve nga Belgjika qëndrimin e këndshëm dhe të suksesshëm në Malin e Zi.

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Turizmit, Vuk Zhizhiq, uroi grupin feXpro dhe prezantoi vizionin e qeverisë për zhvillimin e Malit të Zi si një destinacion turistik gjithëvjetor, i bazuar në ruajtjen e ambientit natyror dhe trashëgimisë kulturore dhe historike.

Ai shprehu besimin se bashkëpunimi me Belgjikën do të sjellë rritje të turizmit dhe investimeve.

Drejtori i feXpro, Glenn Geyssens, theksoi rëndësinë e pavarësisë së Malit të Zi të fituar në mënyrë paqësore dhe demokratike në vitin 2006, dhe u shpreh i inkurajuar nga mbështetja e madhe e qytetarëve malazezë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Pas takimit, delegacioni belg vizitoi ndërtesën e Kuvendit të Malit të Zi dhe në vijim do të vizitojë qytetet bregdetare të Tivatit, Kotorrit dhe Budvës për të njohur më mirë mundësitë turistike dhe ekonomike të vendit.  

SHARE