Shqipëria ka bërë një tjetër përparim të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit europian, duke hapur sot negociatat për grupkapitullin e katërt, të titulluar “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
Ky hap i rëndësishëm u bë zyrtar gjatë një konference për shtyp në Bruksel, ku morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Në fjalën e saj, Komisionerja Kos vlerësoi ritmin e shpejtë dhe progresin e dukshëm që Shqipëria ka bërë në procesin e negociatave, duke e cilësuar atë si “mbresëlënëse”.
Ajo theksoi se gjatë mandatit të saj, i cili ende nuk ka mbushur një vit, është hera e katërt që hapen kapituj të rinj negociatash me Shqipërinë, duke e çuar numrin total në pesë kapituj të hapur dhe 28 kapituj të çelur gjithsej.
“Kam besim të plotë që shumë shpejt do të hapim edhe grupkapitullin e fundit të mbetur, dhe jemi të përkushtuar, së bashku me Presidencën daneze dhe të gjitha shtetet anëtare, që të shënojmë progres të qëndrueshëm sapo të përmbushen të gjitha kriteret,” deklaroi Komisionerja, duke përdorur edhe një metaforë nga terminologjia olimpike: “Më shpejt, më lartë, më fort dhe me një punë në ekip.”
Marta Kos falënderoi autoritetet shqiptare për punën e tyre të vazhdueshme dhe angazhimin e palëkundur në realizimin e reformave, sidomos gjatë këtij viti, pavarësisht sfidave që sollën zgjedhjet parlamentare.
Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtyre reformave, të cilat nuk janë të lehta, por janë thelbësore për anëtarësimin në BE.
“Shqipëria po tregon që ndryshimi pozitiv është i mundur dhe BE-ja e shpërblen këtë ndryshim. Ju inkurajoj të vazhdoni këtë ritëm dhe të përfshini Parlamentin, shoqërinë civile dhe sektorin privat. Një konsensus i gjerë kombëtar është kyç për pranimin shoqëror të reformave në fusha kritike si drejtësia, lufta kundër korrupsionit, pavarësia e gjyqësorit, e drejta e pronësisë, çështjet e pakicave dhe liria e medias,” u shpreh Kos.
Grupkapitulli i hapur sot përqendrohet në “Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjen e Qëndrueshme” dhe përfshin një sërë reformash që synojnë të bashkëngjisin rritjen ekonomike të Shqipërisë me mbrojtjen e pasurisë natyrore dhe burimeve të saj.
Mes përparësive janë përmirësimi i menaxhimit të ujërave të ndotura, reduktimi i ndotjes së ajrit, dhe zhvillimi i transportit për të siguruar ndërlidhjen e Shqipërisë me sistemet europiane.
Në fushën e energjisë, ky kapitull synon të rrisë konkurrueshmërinë e drejtë dhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme, duke sjellë përfitime direkte për jetën e qytetarëve shqiptarë.
Komisionerja Kos gjithashtu përmendi sondazhet e fundit që tregojnë mbështetjen e jashtëzakonshme të qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin në BE, ku 91% e tyre janë pro, 92% kanë besim në Bashkimin Europian dhe 82% kanë një imazh pozitiv për BE-në — shifra këto ndër më të lartat mes vendeve kandidate.
“E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian dhe nuk ka aspak dyshim për këtë. Sot jemi një hap më pranë për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm,” përfundoi Komisionerja Kos.
Kryeministri Rama nga ana e tij falënderoi Komisioneren Kos dhe Komisionin Europian për mbështetjen e vazhdueshme dhe ripërsëriti angazhimin e qeverisë shqiptare për të vijuar reformat dhe përmbushjen e detyrimeve në procesin e integrimit.