BEGAJ NGA BUDAPESTI: KEMI MBËSHTETJEN E HUNGARISË

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, nisi sot (16 shtator) vizitën zyrtare në Hungari, ku u prit nga homologu i tij Tamás Sulyok.

Dyshja zhvilluan fillimisht një takim “tetë a tetë” dhe më pas takimin edhe me delegacionet përkatëse, ku në fokus të bisedimeve ka qenë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, si dhe situata e sigurisë në rajon e Evropë.

Kreu i Shtetit shqiptar mori mbështetjen e plotë dhe të hapur të Hungarisë për finalizimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, rrugëtim të cilin e ka hapur Hungaria.

 “Shpreha mirënjohje në takimin tonë ndaj Presidentit dhe Hungarisë mike për mbështetjen e fortë, të palëkundur dhe të pakushtëzuar që Hungaria jep për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ndihma teknike dhe ekspertiza e ofruar nga Hungaria për institucionet shqiptare ka kontribuar në forcimin e administratës publike dhe në zbatimin e reformave të rëndësishme”, deklaroi Begaj.

Ky i fundit theksoi, ndër të tjera, ecurinë pozitive të marrëdhënieve Shqipëri-Hungari dhe bashkëpunimin gjithnjë në rritje mes dy vendeve në këtë vit të 103-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Shpreh bindjen se me këtë frymë miqësie të kësaj vizite të sotme dhe bashkëpunimi ynë, në të ardhmen më i thelluar, do të shtojë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Hungarisë, në të mirë të qytetarëve tanë, në dobi të stabilitetit e prosperitetit të rajonit dhe Evropës”, deklaroi kreu i shtetit ndërsa shtoi se Shqipëria, me progresin e arritur, ofron mundësi të favorshme për investitorë të rinj hungarezë. Begaj shprehu vullnetin për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe në sektorë të tjerë me rëndësi për qytetarët e dy vendeve.

Për sa i përket çështjeve të sigurisë, u shpreh angazhimi i përbashkët Shqipëri-Hungari si dy vende në NATO, për mbrojtjen kolektive dhe sigurinë Euroatlantike. “Presim të bashkëpunojmë ngushtë në kuadër të Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027”, – u shpreh Begaj, ndërsa vlerësoi prezencën e Hungarisë në Kosovë, si një ndër vendet me më shumë trupa në KFOR.

Presidenti Begaj rikonfirmoi qëndrimin e tij mbi rëndësinë që ka KFOR për sigurinë e rajonit, duke nënvizuar, në të njëjtën kohë, se Kosova dhe shqiptarët që jetojnë aty janë një prioritet i Shqipërisë.

Nga ana e tij, presidenti Sulyok vuri theksin te rëndësia e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian bazuar në meritë.

SHARE