EURODEPUTETËT E PE-SË: MALI I ZI NË RRUGË TË MIRË PËR TË MBYLLUR PESË KAPITUJ NEGOCIUES DERI NË FUND TË VITIT

Mal i Zi po përparon me shpejtësi drejt integrimit në Bashkimin Evropian, dhe ekzistojnë shpresa reale që pesë kapituj negociues të mbyllen brenda vitit 2025, sipas Tomas Vais, kryetarit të Komitetit për Stabilizim dhe Asociim në Parlamentin Evropian.

Në një intervistë për TVMZ, Vais tha se me intensitetin dhe sferën e reformave aktuale, Mali i Zi ka një perspektivë reale për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2026.

“Fillimisht më dukej një plan ambicioz, por tani duhet të pranoj se Kuvendi dhe Qeveria po japin rezultate të prekshme,” u shpreh Vais.

Edhe eurodeputeti slloven nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve, Matjazh Nemec, shprehet i bindur se me përkushtimin e vazhdueshëm ndaj reformave, Mali i Zi do të bëhet shpejt anëtari i ardhshëm i BE-së.

“Mali i Zi mund të jetë krenar për rolin e tij si një nga kandidatët kryesorë për anëtarësim,” tha Nemec, duke kujtuar gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së besueshmërisë së procesit të zgjerimit nga ana e BE-së.

Eurodeputetët përgëzuan miratimin e shumë ligjeve këtë verë në Kuvend, me përkrahje nga spektri i gjerë politik, por paralajmëruan se rruga nuk përfundon këtu.

Tomas Vais theksoi se miratimi ligjor është vetëm një hap, ndërsa zbatimi real i ligjeve në terren është sfida kryesore.

“Ne duhet të shohim zbatimin praktik. Një vendim i rëndësishëm është zgjedhja e një gjyqtari të ri në Gjykatën Kushtetuese deri në Krishtlindje, për të garantuar pavarësinë e sistemit gjyqësor,” nënvizoi ai.

Nemec shtoi se anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar që kërkon angazhim të plotë nga të gjitha palët, si dhe ndërtimin e rezistencës ndaj ndikimeve të jashtme.

SHARE