RIKTHEHET VOTIMI NË KOSOVË, MË SHUMË SE 88 MIJË FLETËVOTIME NGA DIASPORA MBËRRIJNË PËR ZGJEDHJET LOKALE

Pas një periudhe krize politike që pasoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, qytetarët e Kosovës do të dalin përsëri për të votuar në zgjedhjet lokale.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, njoftoi se në Kosovë kanë mbërritur më shumë se 88 mijë fletëvotime nga Sllovenia, për të mundësuar votimin me postë për diasporën.

Procesi i votimit përmes postës do të nisë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor.

Elezi bëri të ditur se janë shtypur dhe sjellë në Kosovë 44,310 fletëvotime për zgjedhjet për Kryetar të Komunave dhe po një numër i njëjtë fletëvotimesh për zgjedhjet për Kuvendet Komunale.

KQZ-ja do të përgatisë pakot e votimit, të cilat për çdo votues të regjistruar do të përmbajnë dy fletëvotime – një për Kryetar Komune dhe një për Kuvend Komunal.

Sipas rregullores, KQZ do t’i dërgojë këto pako me postë votuesve jashtë Kosovës, ndërsa është përgjegjësi e votuesve që t’i kthejnë fletëvotimet në kutitë postare të KQZ-së, të cilat do të vendosen në vende të ndryshme jashtë vendit.

Afati për votim jashtë vendit do të jetë 25 ditë dhe do të përfshijë rreth 43,933 shtetas të Kosovës që janë regjistruar për këtë proces. Së shpejti do të publikohen adresat e kutive postare në shtetet ku do të mund të votohet.

SHARE