NATO “HYN NË LUFTË” ME RUSINË: POLONIA RRËZON DRONËT E MOSKËS, NISEN BOMBARDUESIT

Polonia ka ngritur në ajër avionët e saj luftarakë dhe ka rrëzuar një numër të papërcaktuar dronësh që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në hapësirën e saj ajrore.

Autoritetet polake i kanë cilësuar këto veprime si një “akt të hapur agresioni”.

Ky është rasti i parë që Polonia – një vend anëtar i NATO-s – rrëzon drejtpërdrejt mjete ajrore ruse në territorin e saj që nga nisja e agresionit të plotë rus ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Sipas ushtrisë polake, disa dronë kanë shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore të vendit mëngjesin e së mërkurës, në të njëjtën kohë që Rusia po zhvillonte një valë të gjerë sulmesh ndaj Ukrainës perëndimore, përfshirë zonat afër kufirit me Poloninë.

Kryeministri polak, Donald Tusk, konfirmoi se ishte informuar nga Komanda Operacionale e Ushtrisë për rrëzimin e këtyre dronëve, të cilët konsideroheshin si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. Ai gjithashtu tha se ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me situatën.

“Kjo është hera e parë që dronë rusë rrëzohen mbi territorin polak,” deklaroi Tusk.

Si përgjigje ndaj incidentit, Polonia mbylli përkohësisht hapësirën e saj ajrore dhe nisi një operacion të përbashkët ushtarak, ku morën pjesë edhe avionë të NATO-s dhe Forcat Ajrore Holandeze.

Banorëve të tre rajoneve afër kufirit me Ukrainën u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi për arsye sigurie. Deri më tani nuk raportohet për viktima, ndërsa mbetet e paqartë se sa dronë kanë depërtuar saktësisht në hapësirën ajrore të vendit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se të paktën tetë dronë rusë ishin drejtuar drejt Polonisë, si pjesë e një sulmi të gjerë që përfshinte gjithsej rreth 415 dronë dhe mbi 40 raketa të lëshuara nga Rusia në drejtim të Ukrainës perëndimore.

Zelensky theksoi se bëhet fjalë për dronë sulmues ruso-iranianë të llojit Shahed, duke përjashtuar mundësinë që fluturimi i tyre mbi Poloni të ketë qenë aksidental.

“Nuk ishte një dron i vetëm që mund të justifikohej si gabim. Ishin plot tetë dronë që fluturuan në drejtim të Polonisë dhe hapësirës ajrore të NATO-s,” tha ai.

Ushtria polake ka nisur kërkimet për mbetjet e dronëve të rrëzuar dhe theksoi se “ky është një akt agresioni që paraqet një kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë,” sipas një deklarate në platformën X (ish-Twitter) nga Komanda Operacionale.

Incidenti ka tensionuar më tej situatën në rajon dhe ka ngritur shqetësime në radhët e aleatëve të NATO-s. Nga ana tjetër, Moska ka reaguar me përmbajtje, duke mohuar akuzat.

“Deri tani nuk është paraqitur asnjë provë që këta dronë janë të prodhimit rus,” deklaroi i ngarkuari me punë i Federatës Ruse në Varshavë, Andrei Ordash, i cituar nga agjencia shtetërore ruse RIA Novosti.

SHARE