Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ndërprerja e dhunshme e shfaqjes së filmit në gjuhën shqipe në Xhada Fest nuk është çështje vetëm e komunitetit shqiptar, por është çështje e Malit të Zi, ka deklaruar zëvendëskryeministri, ministër i zhvillimit ekonomik dhe kryetër i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj.
“Shqiptarët ndoshta as nuk duhet të jenë të parët që reagojnë, sepse është logjike dhe e drejtë që të tjerët të dalin në mbrojtje të vlerave elementare dhe të mbrojtjes së Kushtetutës apo ndoshta po dërgohet mesazhi se Kushtetuta nuk vlen për të gjithë?! Më përgjegjës për të reaguar dhe për të siguruar shfaqjen e filmit janë presidenti i shtetit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit. Fatkeqësisht, reagimi i tyre mungon,” theksoi Gjeloshaj.
Kur institucionet heshtin, kjo heshtje në shoqërinë tonë, siç thotë Gjeloshaj, kuptohet shumë mirë dhe dihet si lexohet.
“Nuk guxojmë të lejojmë që dhuna dhe urrejtja të diktojnë jetën publike. Mali i Zi duhet të dëshmojë se është shtet i të gjithë qytetarëve të vet, e jo peng i primitivizmit dhe heshtjes. Nëse shfaqja nuk realizohet siç është planifikuar, atëherë mesazhi është se huliganët janë më të fortë se shteti. Ai që hesht përballë urrejtjes, bëhet bashkëpunëtor i saj,” tha Gjeloshaj.