NËNKRYETARI I KUVENDIT, NIKOLLË CAMAJ, REAGON PAS INCIDENTIT NË “XHADA FILM FEST”

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka reaguar me shqetësim dhe vendosmëri ndaj ndërprerjes së shfaqjes së filmit në gjuhën shqipe “Lejleku”, gjatë “Xhada Film Fest-it” në Podgoricë.

Në një deklaratë publike, Camaj dënon ashpër aktin, duke e cilësuar atë si një veprim jo civilizues që cenon frymën qytetare dhe dëmton bashkëjetesën multietnike në Mal të Zi.

“Shteti i Malit të Zi do të jetë i fortë vetëm aq sa mbron çdo gjuhë dhe çdo kulturë që jeton në të,” deklaroi Camaj, duke kërkuar që institucionet kompetente të reagojnë shpejt dhe me vendosmëri, për të dërguar një mesazh të qartë se veprime të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.

Ai thekson se komuniteti shqiptar është pjesë e pandarë e Malit të Zi, dhe si i tillë, duhet të ketë të drejtë të barabartë për të kontribuar në jetën kulturore dhe shoqërore të vendit.

“Personalisht do të angazhohem që autorët dhe organizatorët e kësaj ngjarjeje të padëshiruar të identifikohen sa më shpejt dhe të mbajnë përgjegjësi. Vetëm me një sanksionim të qartë mund të dërgojmë mesazhin se Mali i Zi nuk do të tolerojë urrejtjen dhe dhunën,” thekson nënkryetari i Kuvendit.

Në përfundim, Camaj ka përshëndetur reagimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, si dhe faktin që filmi “Lejleku” do të shfaqet sonte në Televizionin e Malit të Zi, si një mesazh simbolik për mbrojtjen e lirisë artistike dhe të të drejtave të barabarta.

SHARE