SHQIPËRIA DREJT ÇELJES SË TË GJITHË GRUPKAPITUJVE, MË 16 SHTATOR KONFERENCA NDËRQEVERITARE

Më 16 shtator, do të mbahet konferenca e gjashtë ndërqeveritare për të shënuar hapin final zyrtar të hapjes së të gjithë kapitujve me qëllim anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Këtë të premte, më 5 shtator, Klan News ka mësuar se ambasadorët e 27 shteteve anëtare të BE-së kanë miratuar me unanimitet pozicionin negociues të paraqitur nga qeveria shqiptare për grup-kapitullin e pestë: Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni.  Ky është edhe grupkapitulli i fundit i negociatave të anëtarësimit për vendin tonë drejt BE-së dhe vendimi i sotëm i hap rrugë konferencës së radhës ndërqeveritare që do të mbahet më 16 shtator në Bruksel.

Sjellim ndërmend se Shqipëria ka çelur deri më tani katër nga gjashtë grup-kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE: atë për Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm si dhe Konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse.

BE-ja i kishte kërkuar Shqipërisë që në muajin qershor të paraqiste pozicionin e saj negociues për këtë grup kapitujsh. Grupkapitulli 4 përfshin: transportin, rrjetet trans-evropiane, përmirësimin e infrastrukturës rrugore asaj hekurudhore si dhe sigurinë. Po ashtu trajtohen çështje që lidhen me sektorin e energjisë, mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.

Kujtojmë se në fillim të muajit korrik, komisionerja e Zgjerimit Marta Kos, vlerësoi në mënyrë të veçantë ecurinë që po bën Shqipëria në lidhje me reformat që po ndërmerr në kuadër të integrimit, për të cilën ajo me bindje tha se deri në vjeshtë do të jenë hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave.

“Jemi dëshmitarë të një progresi të dukshëm. Shqipëria, i nderuar Kryeministër Edi Rama, ka hapur tre grup-kapituj gjatë gjashtë muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, mund të arrijmë të hapim të gjithë grup-kapitujt brenda këtij viti. Dhe, siç ju thashë edhe dje, mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grup-kapitullit të fundit në vjeshtë.”– ishin fjalët e Kos në Samitin e mbajtur në Shkup.

Kryeministri Rama, nga ana e tij, e ka përsëritur shpeshherë që e sheh anëtarësimin e Shqipërisë brenda kësaj dekade mëse të mundshëm dhe të merituar.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama synon që të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 si dhe anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.

SHARE