HARVARD FITON ‘LUFTËN’ ME TRUMP, GJYKATA I JEP TË DREJTË UNIVERSITETIT

Një gjykatë federale në SHBA i dha një fitore të madhe Universitetit të Harvardit në përballjen me administratën Trump, duke urdhëruar zhbllokimin e mbi 2 miliardë dollarëve fonde kërkimore që ishin ngrirë nga Shtëpia e Bardhë.

Vendimi u dha të mërkurën nga gjykatësja e Gjykatës së Qarkut, Allison Burroughs, e cila rrëzoi argumentin e administratës së Trump se bllokimi i fondeve ishte pjesë e një lufte kundër antisemitizmit në kampusin e Harvardit.

Nga shqyrtimi i dokumenteve administrative është e vështirë të dilet në një përfundim tjetër, përveçse se antisemitizmi është përdorur si një justifikim për një sulm ideologjik të qëllimshëm ndaj universiteteve elitare të këtij vendi,” shkroi gjykatësja Burroughs, e emëruar nga ish-presidenti Barack Obama.

Sipas saj, ky veprim i administratës “rrezikon dekada kërkimesh shkencore dhe mirëqenien e njerëzve që mund të përfitojnë prej tyre, duke treguar një shpërfillje për të drejtat që mbrohen nga Kushtetuta dhe ligjet federale.”

Ky vendim konsiderohet një sukses i rëndësishëm për Harvardin, universiteti i vetëm që zgjodhi të përballet drejtpërdrejt me administratën Trump në gjykatë. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se do të apelojë vendimin.

Gjykatësja aktiviste, e emëruar nga Obama, do të vendoste gjithsesi në favor të Harvardit, pavarësisht fakteve,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Liz Huston, për CNN. “Çdokush që e sheh situatën me drejtësi, e kupton se Harvard ka dështuar të mbrojë studentët nga diskriminimi dhe ngacmimet për vite me radhë.”

Presidenti i Harvardit, Alan Garber, deklaroi se vendimi “konfirmon argumentet tona për mbrojtjen e lirisë akademike, kërkimit shkencor dhe parimeve themelore të arsimit të lartë amerikan.” Ai shtoi se universiteti do të vazhdojë të ndjekë me kujdes zhvillimet e mëtejshme ligjore.

SHARE