Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq-Stojanoviq, i ka dërguar kryeministrit Millojko Spajiq një propozim që, përmes ndryshimeve në Marrëveshjen Kolektive të Degës, të rriten shtesat për kujdestarë klasorë dhe për titujt më të lartë profesionalë.
Jakshiq-Stojanoviq sot në faqen në Facebook të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit bëri të ditur se mbështet plotësisht përllogaritjen e centralizuar të pagave që po zbatohet nga Ministria e Financave, dhe se që nga dita e parë e zbatimit të saj ka qëndrim të qartë – nuk ka dhe nuk mund të ketë bisedime apo negociata në lidhje me zbatimin e ligjit.
Prandaj, siç thekson ministrja, i ka dërguar Spajiqit propozimin që shtesa për kujdestarinë të rritet nga 10 në 12 për qind, ndërsa shtesat për titujt më të lartë të rriten për nga 0.2 për qind.
“Besoj se kryeministri do t’i njohë përpjekjet tona të përbashkëta për të reformuar sistemin arsimor në të gjitha nivelet dhe për të vendosur themelet e një Mali të Zi më të mirë dhe më të bukur,” tha Jakshiq-Stojanoviq.
Ajo gjithashtu u shpreh se është e sigurt se, ashtu si në çdo sistem tjetër, edhe në arsim ekziston një numër i caktuar individësh që nuk e meritojnë vendin e tyre në klasë.
“Por jam edhe më e sigurt se ekzistojnë mësimdhënës të shkëlqyer, të jashtëzakonshëm, që janë nder për profesionin dhe për gjithë shoqërinë. Dhe është detyrë ime, si njerëzore ashtu edhe profesionale, që të jem pranë tyre,” theksoi Jakshiq-Stojanoviq.
Ajo nënvizoi se ekipi i Ministrisë, që ajo drejton, do të mbetet konsekuent në respektimin e ligjit.
“Por nuk mund dhe nuk guxon të harrojë premtimin që kemi dhënë, e ai është jo vetëm lufta për një pozitë më të mirë materiale të punonjësve të arsimit, por edhe për statusin në shoqëri që shumica prej tyre e meritojnë. Këtë ua kemi borxh, jo Sindikatës së Arsimit, por vetë punonjësve të arsimit, me të cilët duam të ndërtojmë një sistem arsimor më të mirë për të gjitha gjeneratat që vijnë,” tha Jakshiq-Stojanoviq.
Ajo falënderoi të gjithë punonjësit e arsimit dhe drejtorët e institucioneve arsimore-edukative që i njohin përpjekjet e përditshme të Ministrisë për të përmirësuar cilësinë e sistemit arsimor në të gjitha nivelet dhe në të gjitha segmentet.