NË MAL TË ZI, PËR NJË JETË TË DENJTË NEVOJITEN DY PAGA MESATARE

Foto: Ilustrim

Për një jetë të dinjitetshme të një familjeje katëranëtarëshe në Mal të Zi sot nevojiten dy paga mesatare, për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe inflacionit.

Aksioni për çmime të limituara nuk është më në fuqi, dhe qytetarët frikësohen se çmimet do të vazhdojnë të rriten.

Sipas të dhënave të Qendrës për Edukim, Informim dhe Kërkime Sindikale, vlera e shportës së konsumatorit ka arritur në 2.010 euro, ku ushqimi përbën pjesën më të madhe, rreth 630 euro, një rritje prej 2.44% krahasuar me tremujorin e parë.

Unioni i Sindikatave të Lira të Malit të Zi thekson se 70% e familjeve kanë të ardhura më të ulëta se kjo shumë, ndërsa më shumë se 100,000 punëtorë marrin paga deri në 800 euro, prej tyre gati 31,000 marrin pagë minimale prej 600 euro.

Inflacioni vjetor në Mal të Zi është 4.2%, më i larti në rajon.

Sipas analistit ekonomik Predrag Zeçeviq, rritja e çmimeve nuk është pasojë e faktorëve të jashtëm, por kryesisht rezultat i lakmisë së tregtarëve dhe prodhuesve vendas, të cilët kanë ngritur çmimet në mënyrë të pajustifikuar.

Zeçeviq pohon se një pagë mesatare nuk mjafton për të mbuluar nevojat bazë, dhe se vetëm me dy paga mesatare një familje mund të ketë jetë të qëndrueshme.

Edhe pse rreziqe ekonomike ekzistojnë, ai nuk pret përkeqësim të madh, për sa kohë ruhet stabiliteti fiskal dhe vazhdon kontrolli i çmimeve në treg.

SHARE