ALARMOHET EUROPA / STUHI TË FORTA NË FRANCË, ITALI E ANGLI

Ndërkohë që disa vende po vijojnë luftën me zjarret, një pjesë tjetër po përballet me stuhi të forta.

Një dallgë jashtëzakonisht e fuqishme goditi këtë të martë bregdetin e Francës, me valë deri në pesë metra.

Autoritetet urdhëruan menjëherë mbylljen e plazheve për të garantuar sigurinë e pushuesve, ndërsa helikopterët e emergjencës po monitorojnë të gjithë vijën bregdetare.

Italia po përballet gjithashtu me një stuhi të fuqishme, e shoqëruar me reshje shiu, breshër dhe erëra që tejkalojnë 100 kilometra në orë.

Kjo stuhi ka shkaktuar dëme të mëdha dhe shkatërrime në shumë zona: përmbytje, qindra pemë të rrëzuara, dhjetëra automjete të dëmtuara, si dhe dëme në resortet bregdetare dhe në të mbjellat.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit janë në terren.

Në rajonin e Emilia-Romagna pritet të shpallet gjendja e emergjencës.

Autoritetet në Britaninë e Madhe kanë dhënë alarmin për një stuhi të fuqishme, me gjatësi mbi 800 kilometra, që pritet të godasë vendin këtë fundjavë.

Sipas parashikimeve, stuhia me valë të fuqishme po i afrohet vendit dhe pritet të nisë të premten.

Një stuhi e pazakontë rëre, e njohur në meteorologji si habub, goditi të hënën në mbrëmje zonën metropolitane të Phoenix-it, në Arizona, duke shkaktuar rrëzimin e pemëve, dëme të mëdha materiale dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Në aeroportin Sky Harbor të Phoenix-it, një urë u shkatërrua nga erërat me shpejtësi 112 km/orë.

SHARE