Foto: RTNK
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johan Vadeful, deklaroi se Mali i Zi është ndër vendet që po ecin më së miri drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se disa shtete të Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin hapa të rëndësishëm në përmbushjen e standardeve evropiane.
Në një intervistë për televizionin kroat HRT, Vadeful tha se Gjermania vëzhgon me kujdes dhe mbështet përparimin e gjithë rajonit, duke shtuar se Shqipëria po tregon përpjekje të dukshme dhe se zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të mundësonte përparim edhe atje.
“Gjermania do të vazhdojë të mbështesë integrimin e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, por kjo duhet të bazohet në parimin e dhënies dhe marrjes. Vendet duhet të përmbushin kriteret e Kopenhagës, si sundimi i ligjit, demokracia, stabiliteti ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit”, theksoi ai.
Vadeful gjithashtu theksoi rëndësinë e rolit të Kroacisë si mentore për vendet e rajonit dhe rikujtoi angazhimin e Gjermanisë në kuadër të Procesit të Berlinit për përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit.