Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se dialogu me Kosovën duhet të fokusohet sërish në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë.
Deklarata u bë pas takimit të tij në Beograd me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Peter Sorensen, më 26 gusht.
“Politika jonë është ajo e paqes dhe e përkushtuar ndaj zgjidhjeve kompromisi përmes dialogut, por edhe e vendosur në mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare,” shkroi Vuçiç në Instagram.
Ai kritikoi gjithashtu përpjekjet për të ndaluar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke i cilësuar ato si shkelje të lirive politike të serbëve.
Gjatë takimit, Vuçiç dhe Sorensen diskutuan për mundësinë e rifillimit të dialogut Kosovë–Serbi dhe sfidat që lidhen me komunitetin serb në Kosovë.
Sorensen pritet të takohet edhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Më herët, më 6 gusht, Sorensen kishte vizituar Prishtinën për të diskutuar me zyrtarët kosovarë mbi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023.
Edhe pse ajo marrëveshje nuk është nënshkruar, BE-ja e konsideron detyruese për të dyja palët.
Dokumenti përfshin 11 nene, ndër të cilat: një nivel të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndalim të pengesave nga Serbia për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëhershme.
Rundi i fundit i dialogut në nivel të kryenegociatorëve u zhvillua më 10 qershor, me Sorensenin që sinjalizoi përgatitjet për një takim të nivelit të lartë — i pari që nga shtatori i vitit 2023.
Atëkohë, tensionet u rritën ndjeshëm pas sulmit të një grupi serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, ngjarje për të cilën Prishtina fajëson Serbinë, por që Beogradi e mohon.