Përsëri ka dështuar të emërohet kryetari i Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës në seancën e tretë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar të plotë këtë javë, thirri partinë e parë, përkatësisht Lëvizjen Vetëvendosje, të propozojë kandidatin e tyre për kryeparlamentar.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi në mënyrë të hapur fillimisht kandidatin Hekuran Murati për kryeparlamentar, pastaj deputeten Arbërie Nagavci dhe më pas deputetin Dimal Basha.
Asnjëri prej tyre nuk mori 61 votat e nevojshme për t’u emëruar kryetar i Kuvendit të Kosovës, edhe pse në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë.
“Kandidati nuk ka marrë votat e nevojshme, andaj ndërpritet për sot seanca dhe shihemi më 26 gusht në orën 11:00”, theksoi Dehari pas dështimit të emërimit për kryeparlamentar të deputetit Dimal Basha.
Opozita pas kësaj situate po deklaron se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht po propozon për kryeparlamentar kandidatë të cilët nuk e kanë mbështetjen e tyre, duke e mbajtur të bllokuar konstituimin e këtij institucioni legjislativ.
Në aktgjykimin e publikuar të Gjykatës Kushtetuese u bë e qartë se deputetët duhet ta zgjedhin kreun e ri të institucionit legjislativ brenda 30 ditëve, afat që nisë të rrjedhë nga 19 gushti.