IZRAELI NUK TËRHIQET: QYTETI I GAZËS DO TË SHKATËRROHET NËSE HAMASI NUK DORËZOHET

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka paralajmëruar se qyteti i Gazës do të shkatërrohet plotësisht nëse Hamasi nuk pranon të çarmatoset dhe të lirojë të gjithë pengjet.

Deklarata e tij vjen pasi kabineti izraelit miratoi planet për një ofensivë të madhe ushtarake në qytetin e Gazës, pavarësisht kundërshtimeve të forta si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, Hamasi ka rënë dakord me një propozim nga ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit për një armëpushim 60-ditor, që sipas Katarit do të përfshinte lirimin e gjysmës së pengjeve të mbetura. Por Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka refuzuar propozimin, duke theksuar se kërkon lirimin e të gjithë pengjeve dhe përfundimin e luftës në kushte të pranueshme për Izraelin.

Sipas autoriteteve izraelite, nga 50 pengjet e mbetura, besohet se vetëm 20 janë ende gjallë pas gati dy vitesh luftë.

Netanyahu deklaroi se ka urdhëruar rifillimin e negociatave dhe miratimin e planeve të IDF-së për marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës dhe mposhtjen e Hamasit.

Dy objektiva që ecin paralelisht: shkatërrimi i Hamasit dhe lirimi i të gjithë pengjeve”, tha Netanyahu nga selia ushtarake pranë Gazës.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Katz theksoi: “Së shpejti, portat e ferrit do të hapen mbi kokat e vrasësve dhe përdhunuesve të Hamasit në Gaza – derisa ata të pranojnë kushtet e Izraelit për përfundimin e luftës: lirimi i të gjitha pengjeve dhe çarmatosja e plotë”.

Nëse nuk pranojnë, Gaza, kryeqyteti i Hamasit, do të kthehet në Rafah dhe Beit Hanoun”, shtoi ai, duke iu referuar qyteteve që janë shkatërruar thuajse plotësisht gjatë operacioneve ushtarake izraelite.

Forcat izraelite kanë paralajmëruar organizatat humanitare dhe zyrtarët shëndetësorë që të përgatiten për evakuimin e rreth 1 milion banorëve të qytetit të Gazës drejt jugut, përpara fillimit të ofensivës tokësore.

SHARE