MINISTRIA: NUK DO TË KETË NDRYSHIM TË EMRAVE TË INSTITUCIONEVE ARSIMORE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit ka njoftuar se nuk do të mbështesë asnjë nismë që synon ndryshimin e emrave ekzistues të institucioneve arsimore-edukative, duke theksuar se ato janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike që nuk duhet të humbasë.

“Emrat e institucioneve arsimore nuk janë vetëm emërtime formale, por pasqyrë e kohës në të cilën janë krijuar, dëshmi për njerëzit dhe ngjarjet që kanë formuar një epokë. Ndryshimi i tyre do të nënkuptonte humbjen e një pjese të çmuar të trashëgimisë kulturore dhe historike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Gjithashtu, është theksuar se çdo institucion i ri arsimor që do të themelohet në të ardhmen do të mbajë emrin e figurave të shquara dhe ngjarjeve me rëndësi për shoqërinë malazeze.

“Më e rëndësishmja – çdo propozim do të bazohet në vlera që na bashkojnë dhe për të cilat jemi të gjithë krenarë. Në këtë mënyrë duam të lidhim respektin për trashëgiminë me krijimin e vlerave dhe mundësive të reja për gjeneratat që vijnë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.

SHARE