Foto: Ilustrim
Transporti urban i Kryeqytetit ka njoftuar qytetarët se transportin publik falas do të mund ta përdorin edhe nxënësit që kanë vendbanim në Podgoricë dhe ndjekin shkollën në një komunë tjetër, si dhe ata që kanë vendbanim në një komunë tjetër, por ndjekin shkollën në territorin e Kryeqytetit.
“Për shkak të interesimit të madh, njoftojmë qytetarët se të drejtën për transport publik falas e kanë nxënësit që plotësojnë njërin nga kushtet në vijim:
– Nxënësi që ka vendbanim në territorin e Kryeqytetit dhe ndjek shkollën në një komunë tjetër;
– Nxënësi që ka vendbanim në një komunë tjetër, por ndjek shkollën në territorin e Kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e Transportit Urban.
Aplikimet për kartelat e udhëtimit kanë nisur më 15 gusht.
Ato dorëzohen nga data 15 gusht në sportelin e sallës në ndërtesën e Kuvendit të Kryeqytetit (hyrja nga Sheshi i Pavarësisë), në ditët e punës dhe të shtunave nga ora 08:00 deri në 15:00.
Rikujtojmë se, përveç nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, Kryeqyteti ka siguruar transport falas edhe për kategoritë e cenueshme të popullsisë si pensionistët, personat mbi 67 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe ata në nevojë sociale.