SHQIPËRIA NUK KA BALANCIM SHOQËROR, OKB: POLITIKAT FISKALE KANË NXITUR PABARAZINË

Sistemi fiskal shqiptar, përfshirë taksat dhe programet e shpërndarjes sociale, nuk arrin të zvogëlojë ndjeshëm hendekun mes shtresave të pasura dhe të varfëra, sipas raportit “World Social Report 2025” të publikuar nga Kombet e Bashkuara.

Politikat fiskale në vend kanë pasur ndikim shumë të dobët në uljen e pabarazisë, në ndryshim nga shumë vende të Evropës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut, ku ndikimi nuk ka qenë i kufizuar.

Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet pranë Federatës Ruse dhe Serbisë, vende ku politika fiskale, sipas Kombeve të Bashkuara, është gjithashtu e dobët.

Ndërkohë, vendet e Evropës Veriore, si Irlanda, Belgjika, Finlanda dhe Austria, shënojnë ndikimin më të madh, duke arritur të reduktojnë pabarazinë me mbi 12 deri në 16 pikë përqindjeje.

Kjo tregon se barra e taksave dhe shpërndarja e të ardhurave publike kanë një rol të rëndësishëm në balancimin shoqëror.

Pasiguria në tregun e punës mbetet një fenomen i përhapur, ashtu si edhe në vendet e tjera me të ardhura mesatare, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e punësimit zhvillohet në sektorin informal.

SHARE