KTHEHET I NXEHTI EKSTREM NË EUROPËN JUGORE, ZJARRET GODASIN SPANJËN E PORTUGALINË

Europa Jugore është sërish në darën e të nxehtit ekstrem të kësaj vere. Temperaturat e larta dhe thatësirat kanë nxitur përhapjen e zjarreve, sidomos në Gadishullin Iberik që konsiderohet një nga rajonet më të goditura.

Flakët kanë vazhduar të përhapen me shpejtësi, sidomos në zonat më të thata. Nga orbita, satelitët që vëzhgojnë Tokën ofrojnë një mënyrë unike për të ndjekur përhapjen e zjarreve dhe për të mbështetur ekipet e emergjencës që luftojnë flakët në tokë.

Imazhet nga hapësira zbulojnë shkallën e vërtetë të krizës, me shtëllunga gjigante tymi që ngrihen nga zona të mëdha të Spanjës veriperëndimore dhe Portugalisë veriore.

Për të ndihmuar vendet e përballura me situatën e vështirë, Shërbimi i  Emergjencave Kopernikus i Bashkimit Europian është aktivizuar për disa nga këto zjarre, si dhe për vatrat më të fundit të flakëve të shuara në pjesë të tjera të Europës.

Valë pothuajse e pandërprerë e të nxehtit dhe zjarret masive kanë vazhduar të shkatërrojnë sipërfaqe të mëdha toke në jug të kontinentit të vjetër, me një të katërtën e stacioneve meteorologjike në Spanjë që kanë regjistruar temperatura mbi 40 gradë Celsius, ndërsa kryeministri Pedro Sanchez ka bërë thirrje që “emergjenca klimatike të lihet jashtë betejave partiake”.

Agjencia spanjolle e motit Aemet regjistroi një maksimum prej 45.8 gradë Celsius në Cádiz të dielën, ndërsa një në tetë stacione meteorologjike në të gjithë vendin arriti kulme prej të paktën 42 gradë Celsius (108 gradë Fahrenheit).

Aemet paralajmëroi në postimin e saj më të fundit për “rrezik shumë të lartë ose ekstrem nga zjarri” në pjesën më të madhe të vendit. E përballur gjithashtu me një situatë kritike nga zjarret, Portugalia aktivizoi mekanizmin e mbrojtjes civile të BE-së të premten me kërkesën për katër aeroplanë cisternë Canadair.

SHARE