MILLATOVIQ I DËRGON QEVERISË NJË SET MASASH PËR PËRGATITJE MË TË MIRË PËR SEZONIN E ARDHSHËM KUNDËR ZJARREVE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i ka drejtuar Qeverisë një kërkesë me një set masash konkrete për përgatitje më të mirë për sezonin e ardhshëm të zjarreve.

Pas zjarreve tragjike që sollën humbje jete, dëme të mëdha materiale dhe pasoja për natyrën dhe komunitetin, Millatoviq ka theksuar mangësitë serioze në përgatitjen dhe funksionimin e sistemit të mbrojtjes dhe shpëtimit.  

“Duke u nisur nga konkluzionet e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri të mbajtur më 12 gusht, në momentin kur ndodhi kriza nga zjarret, shteti reagoi ngadalë dhe pa koordinim të mjaftueshëm, ndërsa parandalimi dhe ndërtimi i kapaciteteve u anashkaluan. Këto tragjedi rrisin më tej përgjegjësinë e të gjitha institucioneve kompetente për një reagim efikas dhe në kohë në të ardhmen,” theksoi Millatoviq.

Presidenti i ka drejtuar Qeverisë kërkesa për formimin e njësive të mbrojtjes civile, sigurimin e fondeve për trajnimin dhe shpërblimin e tyre.

Ai gjithashtu ka kërkuar zgjidhje ligjore për statusin e shoqatave vullnetare të zjarrfikësve, të cilat, sipas tij, janë një burim i rëndësishëm dhe i provuar në situata krize, por aktualisht kanë rol të kufizuar, pasi trajtohen si organizata joqeveritare.

Millatoviq ka theksuar nevojën për funksionalizimin e dy avionëve ekzistues për fikjen e zjarreve, duke vlerësuar se kjo do të ishte më efikase sesa, siç tha ai, premtimet e lehta për blerjen e avionëve të rinj (kanaderëve).

“Në vend të vonesave dhe mungesës së veprimit, është e nevojshme të vihet urgjentisht në funksion kapaciteti ekzistues. Për mungesën e veprimit në këtë drejtim, dikush duhet të mbajë përgjegjësi,” u shpreh ai.

Ai shtoi se modernizimi i automjeteve dhe pajisjeve të zjarrfikësve nuk është realizuar për gati pesëmbëdhjetë vjet, dhe se zjarrfikësit ende operojnë me pajisje të vjetruara dhe shpesh të prishura, gjë që rrezikon sigurinë e tyre dhe aftësinë e shtetit për të reaguar ndaj krizave.

Presidenti gjithashtu kërkoi ashpërsimin e politikës ndëshkuese për zjarrvënie të qëllimshme, përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe ujësjellësit në fshatra, si dhe theksoi se është koha e fundit që përgatitjet për sezonin e ardhshëm të fillojnë menjëherë.

“Është e papërgjegjshme dhe e paqëndrueshme të mendohet për sezonin vetëm kur ai tashmë ka filluar. Një qasje e tillë na çon çdo vit në të njëjtat probleme dhe pasoja,” theksoi Millatoviq.

Nga Kabineti i Presidentit është thënë se është detyrë e të gjitha institucioneve kompetente të parandalojnë tragjeditë që mund të shmangen, të mbrojnë jetën e qytetarëve, pasurinë e tyre dhe burimet natyrore, dhe të dëshmojnë se shteti ekziston dhe vepron kur është më e nevojshme.

Millatoviq shprehu pritshmërinë që Qeveria do të kuptojë rëndësinë e momentit dhe do të veprojë në përputhje me interesat e Malit të Zi dhe të gjithë qytetarëve të saj, ndërsa Kabineti i tij mbetet i gatshëm për bashkëpunim të mëtejshëm në detajimin dhe zbatimin e kërkesave të paraqitura.

SHARE