ZYRA E OSBE-së PËR TË DREJTAT E NJERIUT I BËN THIRRJE SERBISË: MOS PËRDORNI FORCË TË TEPRUAR POLICORE NË PROTESTA

Pas valës së pandërprerë të protestave në Beograd dhe qytetet të tjera, zyra e OSBE-ODIHR, është shprehur se Serbia ka për detyrë të mundësojë tubime paqësore pa përdorim të paarsyeshëm ose të tepruar të forcës policore.

Përmes një reagimi në X, ODIHR, tha se Serbia është e detyruar të parandalojë dhunën, në përputhje me detyrimet e saj për të drejtat e njeriut.

“Promovimi i dialogut dhe përgjegjësisë është mënyra më e mirë për t’i ulur tensionet e tanishme”, thuhet në reagim në X.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi të martën se policia nuk po fshihte asgjë në lidhje me veprimet e saj në protesta dhe se, nëse do të kishte ndonjë tejkalim të autoritetit, çdokush që e bën do mbajë përgjegjësi.

Prej 12 gushtit, protestat në Serbi kanë hyrë në një fazë të re.

Demostratat janë shoqëruar me përleshje të përditshme midis demonstruesve dhe policisë. Këto incidente kanë ndezur protesta në dhjetëra qytete në vend, përfshirë kryeqytetin Beograd, ndërsa akuzat për brutalitet policor janë përhapur në gjithë vendin.

Që nga nëntori 2024, në Serbi po zhvillohen protesta masive pas shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 njerëz.

SHARE