Garancitë e sigurisë për Ukrainën gjatë një procesi të mundshëm paqeje me Rusinë ishte një nga pikat më të nxehta të konsultimeve në Shtëpinë e Bardhë. Por edhe ato mbeten të paqarta.
Pas takimit në Uashington krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së zhvilluan një takim virtual për të diskutuar për mundësitë për ta mbrojtur vendin e përballur me agresionin e Moskës. Presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa, tha pas bisedimeve se tani është koha për të përshpejtuar përpjekjet dhe për të realizuar mbrojtjen e premtuar – të ngjashme me atë të parashikuar në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s.
Në ditët në vijim, personat përgjegjës për ushtrinë të vendeve të të ashtuquajturit Koalicion i të Gatshmëve të udhëhequra nga Britania e Madhe dhe Franca, do të konkretizojnë në konsultim me SHBA-në garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën, u shpreh ai.
“Forcat e Armatosura ukrainase do të përbëjnë vijën e parë të mbrojtjes. Kjo është arsyeja përse ne duhet të rrisim, forcojmë dhe zhbllokojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën. Bashkimi Evropian është tashmë ofruesi më i madh i mbështetjes ushtarake dhe ekonomike për të. Prioriteti ynë kryesor duhet të jetë ndalimi i vrasjeve. Po kështu, është e rëndësishme ta mbajmë Rusinë në darën e sanksioneve”, shprehet Antonio Costa, president i Këshillit të BE-së.
Donald Trump tha pas samitit se SHBA-ja do t’i mbështesë garancitë për siguri për Ukrainën, por nuk dha detaje. Lidhur me ukrainasit ai vetëm siguroi: “Ne do t’u japim atyre mbrojtje shumë të mirë, siguri shumë të mirë”. Megjithatë në Fox Neës Trumpi u shpreh më vonë se nënkuptonte vetëm mbështetje nga ajri.
SHBA-ja sipas tij mund të ofrojë mbështetje ajrore për paqeruajtësit evropianë në rast të një marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, por e hodhi poshtë përsëri idenë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë.