HEQJA E BUSTIT TË ISUF ÇELAJT NË VUTHAJ NXIT REAGIME NGA ALTERNATIVA SHQIPTARE: SULM NDAJ HISTORISË SHQIPTARE

Foto: Ilustrim

Heqja e bustit të Isuf Çelajt në fshatin Vuthaj ka nxitur reagime të forta nga subjekti politik Alternativa Shqiptare – dega në Guci, e cila e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe thellësisht të koordinuar nga pushteti lokal në Guci.

Në një deklaratë publike, Alternativa Shqiptare thekson se përveç problemeve të vazhdueshme ekonomike dhe organizative në komunë, si infrastruktura dhe manifestimet qesharake si ai i 1 Gushtit në sheshin e “Ali Pashë Gucisë”, tani është prekur edhe historia shqiptare, përmes rrëzimit të një simboli historik siç ishte busti i Isuf Çelajt.

Sipas deklaratës, pretendimi se busti është vendosur pa leje është vetëm një justifikim formal, pasi në thelb problemi është historia shqiptare dhe përpjekja për ta njollosur atë me akuza të pabaza.

Alternativa Shqiptare thekson se akuzat ndaj figurës së Çelajt janë të fabrikuara nga qarqe antishqiptare, duke shtuar se në kohën e pretenduar për krime, ai nuk ka qenë as gjallë.

Deklarata përmend edhe reagimin e menjëhershëm të komunës në orët e para të mëngjesit për ta larguar bustin, duke e cilësuar këtë si një veprim të mirëmenduar dhe të koordinuar.

Alternativa Shqiptare i bën thirrje publike Lëvizjes për Guci që të tregojë se interesat kombëtare janë më të rëndësishme se pozitat politike, duke kërkuar daljen e saj nga pushteti lokal aktual dhe rrëzimin e kësaj qeverisjeje të brishtë, duke qenë se kjo është e mundur edhe matematikisht, përmes një shumice të re në Kuvendin Komunal me 16 këshilltarë nga gjithsej 30.

“Është momenti i fundit të ulemi të gjithë dhe të formojmë një shumicë të re, me kryetar komune shqiptar! Çdo veprim tjetër apo mosveprim do të nënkuptojë bashkëpërgjegjësi me ata që kanë realizuar këtë akt të dëmshëm për identitetin tonë,“ thuhet në deklaratë të ASH-së.

SHARE