Foto: Ilustrim
Në një konferencë për shtyp, shefi i Drejtorisë për Çështje Operative, Radomir Shqepanoviq, deklaroi se zjarret në Podgoricë (Bioç), Danillovgrad (Topollov), dhe Nikshiq (Petroviq) janë ende aktive, por janë nën kontroll.
Ai theksoi se ekipet janë në terren dhe se për momentin nuk ka rrezik për objektet apo popullatën. Shqepanoviq sqaroi se bëhet fjalë për zjarre me intensitet të ulët, të cilat nuk paraqesin kërcënim të menjëhershëm.
Njësitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë duke përdorur termovizionin për të lokalizuar zjarret nëntokësore, të cilat kanë shkaktuar probleme ditët e fundit. Një zjarr i tillë është identifikuar në zonën e Kuçit, pranë kufirit me Shqipërinë, ku është angazhuar një mjet fluturues.
Aktualisht, shtatë mjetet ajrore janë në dispozicion për shuarjen e zjarreve, prej të cilave pesë janë të Malit të Zi.
Në Danillovgrad janë angazhuar dy helikopterë: një çek dhe një “super puma” nga Republika e Serbisë.
Shqepanoviq theksoi se pavarësisht përmirësimit të situatës, autoritetet do të vazhdojnë të monitorojnë me kujdes zhvillimet.
Ai vlerësoi se Mali i Zi ka reaguar mirë ndaj kësaj krize me kapacitetet që posedon.