Foto: Ilustrim
Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, të rinjtë e Aleancës Evropiane kanë ngritur zërin për situatën shqetësuese në të cilën ndodhet rinia në Mal të Zi, duke paralajmëruar për pasoja serioze nëse institucionet nuk veprojnë urgjentisht.
Ndërsa bota feston energjinë, kreativitetin dhe të ardhmen që përfaqëson rinia, në Mal të Zi, kjo ditë po shndërrohet në simbol të ikjes masive të të rinjve dhe humbjes së potencialit më të vlefshëm të vendit, vetë të rinjtë.
Sipas deklaratës së të Rinjve të Aleancës Evropiane, Qeveria aktuale nuk ka një strategji të qartë për punësimin, arsimi është i shkëputur nga nevojat e tregut të punës, ndërsa mbështetja për sipërmarrjen dhe inovacionin është minimale.
“Shteti, në vend që të krijojë kushte për jetë të denjë, i detyron të rinjtë të largohen,” thuhet në deklaratë, ku gjithashtu paralajmërohet se ky qëndrim do të çojë në kolaps demografik dhe stagnim zhvillimor.
Të rinjtë kërkojnë:
- Investime serioze në arsim dhe punësim;
- Zhvillimin e politikave për strehim të qëndrueshëm;
- Krijimin e një ambienti ku të rinjtë duan të jetojnë dhe kontribuojnë
Në përfundim, ata theksojnë se zëri i të rinjve duhet të dëgjohet dhe respektohet çdo ditë, e jo vetëm një herë në vit.