UDHËHEQËSIT E BE: UKRAINA DUHET TË KETË LIRINË PËR TË VENDOSUR TË ARDHMEN

26 krerët e shteteve dhe qeverive evropiane, përveç atij hungarez kanë deklaruar se “ukrainasit duhet të kenë lirinë për të vendosur për të ardhmen e tyre”. Kjo kërkesë vjen katër ditë para takimit midis Donald Trump dhe Vladimir Putin.

“Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian, mirëpresim përpjekjet e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës agresive të Rusisë në Ukrainë dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Ukrainasit duhet të kenë lirinë për të vendosur për të ardhmen e tyre”, shkruan ata në një tekst.

Deklarata, e cila u miratua vonë të hënën dhe u botua të martën, u mbështet nga udhëheqësit e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, përveç Hungarisë.

Evropianët po përpiqen të ushtrojnë njëfarë ndikimi mbi takimin e së premtes mes Trump dhe Putin, nga i cili janë lënë mënjanë.

Mbetet e paqartë nëse edhe Ukraina do të marrë pjesë. Të hënën, Trump konfirmoi se ai dhe presidenti rus, Putin do të diskutojnë për “shkëmbimin e territoreve” kur të takohen .

Deklarata e së martës kishte për qëllim gjithashtu të ishte një demonstrim i unitetit evropian. Megjithatë, kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili është aleati më i ngushtë i Putinit në Evropë dhe është përpjekur të bllokojë mbështetjen e BE-së për Ukrainën, nuk e mbështeti atë, i vetmi nga 27 udhëheqësit që refuzuan ta bënin këtë.

Në deklaratën e publikuar herët të martën, udhëheqësit thanë se “mirëpresin përpjekjet e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”. Por, ata nënvizuan, “rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën”.

Zelenskyy ka hedhur poshtë idenë që Ukraina duhet të zotohet të heqë dorë nga toka për të siguruar një armëpushim ndërsa Rusia mban kontroll mbi katër rajone të vendit, dy në lindje të vendit dhe dy në jug.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë do të zhvillojnë bisedime me Donald Trump nesër, të mërkurën (13 gusht).

SHARE