Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar një letër falënderimi dhe mirënjohjeje Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për bashkëpunimin e dhënë në fushën e emigracionit të paligjshëm.
Në letër, Presidenti Trump vlerëson lartë vendimin e Kosovës për të pranuar një numër emigrantësh që po largohen nga SHBA-të, duke e cilësuar këtë si një akt të fuqishëm solidariteti dhe partneriteti.
“Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për ndihmën tuaj të jashtëzakonshme në pranimin e qytetarëve nga vende të tjera. Ky veprim është dëshmi e përkushtimit të palëkundur të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara. Lidershipi juaj në këtë çështje flet për forcën dhe dhembshurinë e popullit tuaj,” thuhet në letrën e Presidentit Trump, e cila mban datën 4 gusht.
Pas publikimit të letrës këtë të enjte, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e saj për të forcuar më tej marrëdhëniet me SHBA-të dhe Presidentin Trump.
“Kosova do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me Shtetet e Bashkuara në çdo sfidë dhe çdo arritje. Mbetem e përkushtuar që të punojmë së bashku për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet në vijim,” shkruan ajo.
Letra nga Presidenti Trump mbërriti në Presidencën e Kosovës më 5 gusht.