Foto: The Denver Post via AP/Helen H. Richardson
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave ka mbështetur një nismë rajonale që synon rritjen e ndërgjegjësimit publik për menaxhimin e zjarreve në hapësira të hapura në Ballkanin Perëndimor.
Nga kjo ministri është theksuar se zjarret në natyrë përbëjnë një kërcënim serioz dhe sfidë gjithnjë e më të madhe për rajonin, duke lënë pasoja afatgjata mbi ekosistemet, komunitetet dhe ekonominë.
“Nëpërmjet koordinimit të përmirësuar rajonal dhe veprimit të përbashkët të ministrive përkatëse, Programi për Menaxhimin e Zjarreve në natyrë në Ballkanin Perëndimor vendos themelet për rritjen e vetëdijes publike mbi rreziqet e zjarreve në natyrë dhe për rritjen e qëndrueshmërisë së peizazheve përmes menaxhimit të qëndrueshëm të ekosistemeve”, thuhet në njoftim.
Programi nuk mbështetet më vetëm në qasjet tradicionale të shuarjes së zjarreve, por zbaton një koncept të menaxhimit të integruar të zjarreve në natyrë – duke nxitur bashkëpunimin ndërsektorial, forcimin e kapaciteteve lokale dhe ndërtimin e peizazheve rezistente ndaj zjarreve.
Sipas Ministrisë, parandalimi është në qendër të kësaj nisme, me qëllim menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore që mbron njëkohësisht njerëzit dhe ekosistemet.
Qëllimi është krijimi i peizazheve dhe komuniteteve rezistente ndaj zjarreve që do të vazhdojnë nismën edhe në nivel rajonal në të ardhmen.
“Nismën rajonale e mbështet Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave si partner strategjik, dhe ajo përfshin aktivitete edukative, zhvillim politikash dhe angazhim praktik në vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet më tej në njoftim.
Ministria ka theksuar se mbi 90% e zjarreve në natyrë në rajon shkaktohen nga pakujdesia njerëzore. Programi bën thirrje për vetëdije kolektive, pjesëmarrje dhe përgjegjësi për të mbrojtur natyrën dhe për të siguruar një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë.
“Me përpjekje të përbashkëta dhe një vizion afatgjatë, mund të synojmë një objektiv ambicioz, por të arritshëm: zero zjarre të shkaktuara nga faktori njeri”, thuhet në deklaratë. Falë mbështetjes së vazhdueshme dhe partneritetit me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, nisma po ndërton një bazë të fortë për ndikim të qëndrueshëm dhe afatgjatë në rajon. “Besojmë fuqishëm se një veprim i vetëm mund të ndryshojë gjithçka”, është përfundimi i njoftimit të Ministrisë.