Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka reaguar ndaj deklaratës së kabinetit të Presidentit të Malit të Zi, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të arsyetuar një vendim që, sipas tij, nuk ka bazë kushtetuese.
Ai thekson se bëhet fjalë për një veprim të diktuar nga marrëveshje joformale dhe interesa personale të disa anëtarëve të kabinetit presidencial.
Reagimi i Gjeloshajt vjen pas një postimi të Presidentit Jakov Millatoviq në rrjetin social X, ku ky i fundit ka theksuar se edhe Ministria e Financave ka dhënë një opinion negativ për Ligjin e propozuar mbi tatimin e pasurive të paluajtshme.
Deputetët, sipas Millatoviqit, e kanë ditur se ligji është në dëm të bujqve dhe pavarësisht kësaj e kanë miratuar, ka deklaruar Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Ai theksoi gjithashtu se asnjë kërcënim nuk do ta ndalë ta respektojë Kushtetutën.
“Institucionet po punojnë së bashku për interesin publik. Kuvendi i Malit të Zi, Qeveria e Malit të Zi dhe Komuna e Tuzit po marrin pjesë si partnerë në projektin për rimëkëmbjen e kompanisë Plantacionet, me qëllim që ajo të dalë nga kriza shumëvjeçare dhe të bëhet sërish një kompani e suksesshme dhe e qëndrueshme. Përpjekjet për të ngadalësuar këtë proces për shkak të interesave private nuk do të kenë sukses. Plantacionet do të rikuperohet pas viteve të shkatërrimit që u karakterizuan nga udhëheqjet e Verica Marash dhe Nebojsha Vuksanoviq, si dhe nga vendimet politike të Jakov Millatoviqit, të cilat kanë qenë në dëm të qytetarëve të Tuzit, kompanisë Plantacionet dhe pasurisë shtetërore,” ka deklaruar Gjeloshaj.
Sipas Gjeloshajt, Komuna e Tuzit nuk është terren për marrëveshje private.
“Që nga viti 2021 kemi qenë dëshmitarë të përpjekjeve për të dobësuar buxhetin e Tuzit, me qëllim që individë të caktuar të përfitojnë për interesa personale. Forumi Shqiptar ka qenë, dhe mbetet edhe sot, e vetmja pengesë ndaj këtyre abuzimeve, dhe ky qëndrim nuk do të ndryshojë, pavarësisht presioneve politike. Ndryshimi i ligjit i iniciuar nga Nebojsha Vuksanoviq në vitin 2021 nuk përbën problem për Millatoviqin, sepse ai ligj kishte vetëm një qëllim: të shkatërrojë financiarisht Komunën e Tuzit dhe të sigurojë përqindje për ekipin nga kabineti i Millatoviqit”, thuhet në deklaratën e Gjeloshaj.
Përkrahja për Plantacionet është, sipas tij, e qartë dhe e padiskutueshme.
“Udhëheqësia e re, e udhëhequr nga Nikola Tripkoviq, ka njohuritë dhe integritetin për ta kthyer kompaninë në rrugën e duhur. Komuna e Tuzit është e gatshme të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme, përfshirë edhe lirimin e përkohshëm nga taksat, në mënyrë që kompania të stabilizohet dhe të funksionojë pozitivisht, në interes të të gjithë qytetarëve, e jo të individëve të privilegjuar. Çështja e trashëgimisë nuk do të harrohet. Sigurisht që do të jemi këmbëngulës për të hetuar se si trashëgimia jonë ka kaluar nga statusi i përdorimit në pronësi të përhershme të Plantacionet. Përmes institucioneve të sistemit do të kërkojmë kthimin e asaj prone ose kompensimin e duhur. Ky është një proces në të cilin do të jemi të palëkundur, sepse askush nuk ka të drejtë të marrë atë që i përket të parëve tanë dhe komunitetit tonë,” theksoi Gjeloshaj.
Presionet politike ndaj institucioneve, sipas Gjeloshaj, janë të papranueshme.
“Përpjekjet për të përdorur policinë dhe prokurorinë për t’u hakmarrë ndaj përfaqësuesve të komunitetit tonë përbëjnë një precedent të rrezikshëm dhe një keqpërdorim të organeve shtetërore. Forumi Shqiptar pret që institucionet të mbeten të pavarura dhe të mbrojnë ligjin, e jo interesat private. Është e pamoralshme të flitet për kërcënime që nuk ekzistojnë. Gjithçka që kam shkruar në komunikimin privat me presidentin tashmë ka ndodhur – kanë reaguar të gjitha nivelet, nga Mali i Zi deri te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe do të reagojnë gjithmonë për sa kohë të ketë përpjekje për të dëmtuar financiarisht komunën e Tuzit. Këto nuk janë kërcënime, por një reagim legjitim dhe demokratik ndaj padrejtësisë,” thuhet në deklaratën e tij.
Ai e konsideron se kultura dhe morali i udhëheqjes shtetërore pasqyrohen në veprime.
“Publikimi i komunikimit tim privat përmes ‘screenshot’-eve vetëm konfirmon nivelin e kulturës politike dhe përgjegjësisë së presidentit aktual të Malit të Zi. Fatkeqësisht, ky veprim është një pasqyrë e gjendjes së institucioneve të presidentit dhe e asaj që përfaqëson ai që aktualisht mban këtë post. Imagjinoni sikur unë të kisha nivelin e edukimit familjar dhe kulturës si Millatoviq dhe të publikoj atë që më shkruan privat për njerëzit që e sollën atë në pozitën e presidentit?!”, ka thënë Gjeloshaj.
Sipas tij, opinioni duhet të dijë se vendimet për taksën mbi pasuritë e paluajtshme i merr organi kompetent i administratës lokale, e jo kryetari i komunës.
“Çdo përpjekje për t’i lidhur këto veprime me mua si përgjegjësi personale apo veprim të paligjshëm, për mua si ish-kryetar, është një manipulim i qëllimshëm për të larguar vëmendjen nga arsyet reale për rikthimin e ligjit. Sa i përket kërkesës për shkarkimin tim, unë nuk kam marrë funksionin si dhuratë, por e kam fituar me besimin e qytetarëve në zgjedhje, të cilin e kam marrë disa herë radhazi. Funksioni për mua është përgjegjësi ndaj qytetarëve, jo privilegj. Nëse një ditë, me meritë dhe jo me kalkulime politike nga banka rezervë, do të merrni mbështetjen që kam marrë unë, ndoshta do të kuptoni kuptimin e legjitimitetit dhe përgjegjësisë së vërtetë,” theksoi Gjeloshaj.
Forumi Shqiptar, sipas tij, do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve të Tuzit dhe të gjithë komunitetit shqiptar dhe do të kontribuojë në zhvillimin e Malit të Zi.
“Nuk do të lejojmë bllokimin e zhvillimit të komunës sonë, as përpjekjet për disiplinimin politik të shqiptarëve. Interesi publik nuk është në shitje, dhe Plantacionet do të bëhen një kompani e suksesshme falë bashkëpunimit ndërmjet shtetit, komunës dhe menaxhmentit të ri, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për të ndaluar procesin e rimëkëmbjes,” thuhet në deklaratë.