SPAJIQ E CILËSON REFORMËN ZGJEDHORE SUKSES HISTORIK, OPOZITA KRITIKON ASHPËR

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, e cilësoi si sukses historik miratimin e reformës zgjedhore nga 68 deputetë të Parlamentit, gjatë një seance të veçantë parlamentare në kuadër të “Orës së kryeministrit”.

Seanca nisi me një minutë heshtje për viktimat e fundit në vend, pasi 28 korriku u shpall Ditë Zie kombëtare.   Debati në Parlament u shoqërua me kritika të forta nga opozita për vonesat dhe neglizhencën institucionale.

Deputetët e opozitës, përfshirë Dritan Abazoviq, Andrija Nikoliq dhe Danijel Zhivkoviq, akuzuan Spajiqin për shpërfillje të Kushtetutës, mungesë transparence dhe bashkëpunim me parti që promovojnë revizionizmin historik dhe glorifikojnë lëvizje kolaboracioniste.

Abazoviq e kritikoi ashpër kryeministrin për qëndrimet ndaj sigurisë publike dhe deklaratat që, sipas tij, kanë inkurajuar kriminelët.

Spajiq u përgjigj me një letër të gjatë, duke mohuar akuzat dhe theksuar angazhimin për depolitizimin dhe vetingun në sektorin e sigurisë, si dhe për përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Në vazhdim, kryeministri Spajiq përmendi arritjet e qeverisë si marrëveshja për regjistrimin e popullsisë, ndihma prej 150 milionë eurosh nga BE për autostradën dhe reformat në drejtësi.

Ai theksoi se zgjedhjet e parakohshme nuk janë të nevojshme dhe se vendi po ecën drejt stabilitetit dhe anëtarësimit në BE deri në vitin 2028.

Në fund, ai shtoi se qeveria është e përkushtuar për reforma, rritje ekonomike dhe ndërtimin e institucioneve funksionale në shërbim të qytetarëve.

SHARE