OJQ-të THIRRJE PËR TËRHEQJEN E PROJEKTLIGJIT QË RREZIKON TË DREJTAT THEMELORE TË QYTETARËVE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Qendra për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (CEDEM), së bashku me 15 organizata të tjera të shoqërisë civile, i është bashkuar thirrjes publike të HRA, Qendra për Edukim Qytetar dhe Qendra për të Drejtat e Grave për të kërkuar tërheqjen urgjente të Propozimit të ligjit për Agjencinë për Siguri Kombëtare nga procedura parlamentare.

Sipas organizatave, ligji është hartuar pa debat publik dhe pa konsultime me ekspertë apo publikun, duke rrezikuar seriozisht të drejtat kushtetuese dhe ndërkombëtare të qytetarëve, si privatësia, mbrojtja e të dhënave personale dhe fshehtësia e komunikimeve.

Ato kritikojnë që projektligji i jep Agjencisë për Siguri Kombëtare qasje të pakufizuar në të dhënat personale dhe sensitive (mjekësore, financiare, etj.) pa vendim gjyqësor, duke përjashtuar çdo formë kontrolli apo mundësie për mbrojtje ligjore të qytetarëve.

Veçanërisht shqetësues është mbikëqyrja e fshehtë e komunikimeve elektronike dhe vendndodhjes, gjithashtu pa autorizim të gjykatës, gjë që bie ndesh me vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese.

Organizatat theksojnë se projektligji shkel standardet e Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke i dhënë Agjencisë për Siguri Kombëtare kompetenca të pakontrolluara që bien ndesh me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

Për këtë arsye, ato kërkojnë:

  • Tërheqjen e menjëhershme të projektligjit,
  • Zhvillimin e një debati gjithëpërfshirës publik,
  • Harmonizimin e ligjit me Kushtetutën, legjislacionin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Organizatat paralajmërojnë se do të njoftojnë partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e BE-së për këtë çështje.

SHARE