Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje tregtare që vendos një tarifë prej 15% për shumicën e mallrave, njoftoi presidenti Donald Trump të dielën. Marrëveshja shmang përkohësisht vendosjen e tarifave më të larta të importit nga të dyja palët, që mund të kishin tronditur ekonomitë globale.
Njoftimi erdhi pas një takimi të shkurtër mes Trumpit dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fushën e golfit të Trumpit në Turnberry të Skocisë.
Kjo marrëveshje vjen vetëm disa ditë para përfundimit të afatit të vendosur nga Shtëpia e Bardhë për vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj importeve nga BE-ja, e cila përbëhet nga 27 vende anëtare dhe është partneri më i madh tregtar i SHBA-së.
“Ishte një negociatë shumë interesante. Mendoj se do të jetë e shkëlqyer për të dyja palët”, tha Trump.
Trump tha se Bashkimi Evropian është pajtuar të blejë rreth 750 miliardë dollarë energji nga Shtetet e Bashkuara dhe të investojë edhe 600 miliardë dollarë shtesë në ekonomi amerikane, përveç investimeve ekzistuese. Ai gjithashtu njoftoi për një blerje të madhe të pajisjeve ushtarake nga ana e BE-së.
Von der Leyen tha se tarifat prej 15% janë “të përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse” dhe se “tani, në thelb, tregu evropian është i hapur.”
Bisedimet kishin për qëllim të shmangnin vendosjen e tarifave ndëshkuese – dhe hakmarrjen e paralajmëruar nga Evropa – që mund të trondisnin ekonomitë në mbarë botën.
Trump dhe von der Leyen zhvilluan bisedime private në një nga fushat e golfit të Trumpit në Skoci dhe më pas dolën me një deklaratë të përbashkët, duke thënë se kishin arritur një marrëveshje “gjithëpërfshirëse”.
Para takimit, Trump e përshkroi marrëdhënien tregtare me BE-në si “shumë të njëanshme dhe të padrejtë ndaj SHBA-së”.
“Mendoj se çështja kryesore është ndershmëria. Ne kemi pasur një kohë shumë të vështirë me tregtinë me Evropën”, tha ai.
Von der Leyen tha se SHBA-ja dhe BE-ja përbëjnë së bashku bllokun më të madh tregtar në botë, që përfshin qindra milionë njerëz dhe triliona dollarë në shkëmbime tregtare. Trump shtoi se përballë këtij potenciali, “vlen të provohet të arrihet marrëveshja”.
Presidentja e Komisionit Evropian e përshkroi Trumpin si “negociator të fortë”, ndërsa ai ndërhyri duke shtuar: “por i drejtë”. Von der Leyen shtoi se nëse arrihet suksesi, “kjo mund të jetë marrëveshja më e madhe që secili prej nesh ka nënshkruar ndonjëherë”.