KUVENDI MIRATON NDRYSHIMET KYÇE NË LIGJET ZGJEDHORE DHE TË VETËQEVERISJES LOKALE – ZGJEDHJET LOKALE MË 13 QERSHOR 2027

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kuvendi i Malit të Zi miratoi sot një sërë ligjesh kyçe në kuadër të reformës zgjedhore, duke përcaktuar 13 qershorin 2027 si datë për zgjedhjet lokale të përbashkëta.

Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar sot propozimet për ndryshime dhe plotësime të tre ligjeve të rëndësishme:

  • Ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve;
  • Ligji për vetëqeverisjen lokale;
  • Ligji për financimin e subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore

Këto ndryshime janë mbështetur njëzëri nga anëtarët e Komisionit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore, ndërsa Kuvendi i ka miratuar me shumicë të madhe.

Ligjet hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare.

Zgjedhjet lokale të përbashkëta më 13 qershor 2027

Sipas marrëveshjes së arritur, të gjitha zgjedhjet lokale në Mal të Zi do të mbahen në një ditë, më 13 qershor 2027.

Ky vendim synon të shmangë ashtuquajturin “turizëm zgjedhor” dhe fushatat e vazhdueshme në komuna të ndryshme.

Vasilije Çarapiq, bashkëkryesues i Komisionit dhe shef i grupit parlamentar të Lëvizjes „Evropa Tani“, tha se kjo ka qenë një nga rekomandimet më të hershme dhe më të rëndësishme të procesit të reformës zgjedhore. “Ky vendim do të thotë që në disa komuna mandati do të zgjatet, në disa të tjera do të shkurtohet. E kemi gjetur një zgjidhje të mesme, datën 13 qershor”, u shpreh Çarapiq.

Nikolla Rakoçeviq, bashkëkryesues nga radhët e PDS-së, theksoi se kjo është një fitore për opozitën dhe se do të bëjnë gjithçka që të arrihet sa më parë te zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai përmendi se kjo reformë do të shkurtojë mandatin e Podgoricës dhe Nikshiqit, dy komuna që ai i konsideroi me performancë të dobët, ndërsa do ta zgjasë në Tivar dhe Bijello Pole.

Ligji për financimin e partive – miratuar pa debat

Ligji për financimin e subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore u miratua pa debat parlamentar, me 69 vota për, duke sinjalizuar një konsensus të gjerë për këtë pjesë të reformës.   

SHARE