Franca do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez në shtator, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron.
Kështu, Franca do të bëhet shteti i parë anëtar në grupin e shtatë vendeve më të industrializuara (G7) që merr këtë hap.
Përmes një postimi në X – dikur Twitter – Macron ka thënë se njoftimi zyrtar do të bëhet në takimin e përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
“Nevoja urgjente sot është që të përfundojë lufta në Gazë dhe të shpëtohet popullsia civile. Paqja është e mundshme. Neve na duhet armëpushim i menjëhershëm, lirimi i të gjitha pengjeve dhe ndihmë masive humanitare për njerëzit e Gazës”, ka shkruar ai.
Zyrtarët palestinezë e kanë përshëndetur vendimin e Macronit, derisa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se vendimi “shpërblen terrorin”, pas sulmit të Hamasit në Izrael, më 7 tetor të vitit 2023.
Hamasi është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se SHBA-ja “kundërshton ashpër” vendimin e Macronit dhe e sheh si të “pamatur”.
Grupi G7 përbëhet edhe nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania, Kanadaja dhe Japonia.
Në postimin e tij në X, Macron ka thënë se Franca do ta njohë shtetin palestinez në linjë me përkushtimin historik për paqe afatgjatë në Lindje të Mesme.
“Ne duhet të garantojnë çarmatosjen e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës”.
Macroni e ka bërë publike letrën që ia ka nisur presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas duke e konfirmuar vendimin.
Duke iu përgjigjur njoftimit të Macronit, zëvendësi i Abbasit, Hussein al-Sheikh, ka thënë se “ky pozicion reflekton përkushtimin e Francës për ligj ndërkombëtar dhe mbështetjen e saj për të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe themelim të shtetit tonë të pavarur”, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.
Aktualisht shtetin palestinez e njohin më shumë se 140 prej 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Disa vende të Bashkimit Evropian – përfshirë Spanjën dhe Irlandën – janë në mesin e tyre.
SHBA-ja, aleatja kryesore e Izraelit, nuk e njeh shtetin palestinez.