KUFIJTË E BE-së MUND TË MBETEN TË MBYLLUR

Kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian mund të mbeten të mbyllur për qytetarët e Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, edhe pas datës 1 korrik, përkundër rekomandimit të mëhershëm të Komisionit Evropian që këto kufij të hapen me këtë datë.

Komisioni Evropian para dy javësh kishte rekomanduar që kufijtë e brendshëm të BE-së të hapen jo më vonë se me datën 15 qershor, ndërsa ata të jashtëm gradualisht prej 1 korrikut.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni kishte rekomanduar që kufijtë e jashtëm të hapen prej 1 korrikut duke e arsyetuar në atë kohë këtë rekomandim me gjendjen e mirë epidemiologjike.

Komisioni kishte konstatuar se kjo situatë në vendet e Ballkanit Perëndimor është “e ngjashme apo edhe më e mirë sesa në vendet e BE-së”.

Por, prej atëherë situata në rajon është përkeqësuar, me rritjen e shpejt të numrit të të infektuarve me koronavirus.

Kjo ka bërë që disa shtete të BE-së të marrin masa individuale dhe që në nivel të BE-së të vihet në pikëpyetje heqja e kufizimeve për hyrjen në BE të shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zëdhënësi për çështje të migrimit në Komisionin Evropian, Adalbert Jahns, ka thënë se u takon vendeve anëtare të vendosin për heqjen apo jo të kufizimeve për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, ditëve të fundit ka pasur një rritje të numrit të infektuarve me koronavirusin e ri.

SHARE