Foto: KKSH
Drejtori i Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Xhenis Nurkoviq, u takua dje në Ulqin me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Faik Nika, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët për mbrojtjen e të drejtave dhe identitetit të komunitetit shqiptar në Mal të Zi.
Gjatë takimit, kryetari Nika i uroi Nurkoviqit emërimin e tij të fundit, duke shprehur bindjen se mandati i tij do të sjellë mbështetje shtesë institucionale për pakicat kombëtare.
Në takim u theksua rëndësia e komunikimit të rregullt dhe rrjetëzimit të ndërsjellë, veçanërisht në procesin e vlerësimit të projekteve që kanë të bëjnë me ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës së komunitetit shqiptar.
Me qëllim të fuqizimit të komunitetit, u ra dakord për organizimin e një prezantimi informativ në Ulqin. Ky aktivitet, që do të realizohet në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, do t’i kushtohet edukimit të aplikuesve për thirrjet e ardhshme të Fondit, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e aplikimeve dhe të mundësohet shfrytëzimi më efikas i fondeve në dispozicion.
Takimi u zhvillua në një frymë dialogu të hapur dhe qasjeje partneriteti, me konkludimin e përbashkët se vazhdimësia e bashkëpunimit është kyçe për përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar dhe të ardhmes së tij në Mal të Zi.