Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Seanca e Kuvendit të Malit të Zi u ndërpre shkurt sot, pas një përplasjeje verbale mes deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) dhe Demokratëve nga shumica qeverisëse.
Pas ngritjes së toneve, kryesuesi Mirsad Nurkoviq dha një pauzë dhe pezulloi seancën.
Kreu i grupit parlamentar të PDS, Andrija Nikoliq, në fillim të seancës tha se vërejtja e kreut të PDS-së, Danijel Zhivkoviq, drejtuar nënkryetares së Kuvendit, Zdenka Popoviq, lidhet me injorimin e të drejtës procedurale për të kërkuar fjalën në bazë të rregullores.
Popoviq ka dorëzuar më herët një kallëzim në polici ndaj Zhivkoviqit, duke pohuar se ai i ka kërcënuar pas përfundimit të seancës së djeshme në sallën plenare.
Nikoliq tha se ishte i befasuar nga ky kallëzim dhe se ishte i pranishëm kur deputeti Zhivkoviq, sipas tij, reagoi për shkak të shkeljes së të drejtës për reagim procedural, duke thënë: “Do të kesh problem me mua kur të udhëheqësh seancën”.
Ai shtoi se kjo është hera e parë që një përplasje verbale në Kuvend përfundon me kallëzim në polici.
Gjatë seancës së sotme, ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Kuvendi pritet të shqyrtojë gjithashtu Projektligjin për kontabilitetin dhe Projektligjin për auditimin.