BALLUKU: SHQIPËRIA E GATSHME PËR BASHKËPUNIM ENERGJETIK RAJONAL

Në kuadër të 20-vjetorit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, liderët botërorë u takuan në Athinë për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e bashkëpunimit energjetik në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë forum, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi rëndësinë e rolit aktiv që ka Shqipëria në procesin e negociatave dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.  

“Roli i Sekretariatit të Energjisë është jetësor dhe i pazëvendësueshëm në tryezën e negociatave. Ne po punojmë intensivisht për të përditësuar kuadrin rregullator që do të na përafron me legjislacionin europian dhe do të na ndihmojë të përmbushim kërkesat e agjendës së gjelbërt,” tha ministrja Balluku.

Ajo vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e avancimit të lidhjeve të interkonjeksionit energjetik në rajon. Shqipëria tashmë ka lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, ndërsa po vijon punën për një lidhje nënujore me Italinë.

“Uroj që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të gjejnë rrugën më të lehtë drejt sigurimit të energjisë. Interkonjeksionet janë një çështje kyçe që kërkon përparim të mëtejshëm,” tha Balluku.

Zv.kryeministrja theksoi se sektori energjetik shqiptar ka si prioritet ruajtjen e stabilitetit të furnizimit me energji në rajon, duke kontribuar në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e energjisë për Ballkanin Perëndimor.

SHARE