DUKAJ: NË PARTNERITET PO KRIJOJMË POLITIKA TË AVANCUARA PËR SISTEMIN E VETËQEVERISJES LOKALE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, u drejtua sot në ceremoninë solemne me rastin e shënimit të 53-vjetorit të themelimit dhe funksionimit të Bashkësisë së Komunave të Malit të Zi, duke theksuar rëndësinë e këtij përvjetori për zhvillimin e vetëqeverisjes lokale dhe për përmirësimin e administratës publike në tërësi.  

Nga Ministria e Administratës Publike u bë e ditur se ministri Dukaj theksoi se ky përvjetor është një mundësi për të reflektuar mbi arritjet e përbashkëta nga dekadat e kaluara, por edhe për të konkretizuar objektivat ambicioze për të ardhmen.

“Ky jubile është një kujtesë e vazhdimësisë, stabilitetit dhe përkushtimit të pushtetit lokal në shërbim të qytetarëve. Jam i bindur se, si deri më tani, me punë të përbashkët do të vazhdojmë të përmirësojmë shërbimet publike, të forcojmë kapacitetet lokale dhe të ndërtojmë një administratë transparente dhe efikase. Ministria e Administratës Publike llogarit në mbështetjen e plotë të Bashkësisë së Komunave dhe të gjithë liderëve lokalë në këtë rrugëtim”, tha ministri.

Në kuadër të ceremonisë, u ndanë çmimet për praktikat më të mira në vetëqeverisjen lokale për vitin 2025, duke nënvizuar edhe një herë rëndësinë e inovacionit, përgjegjësisë dhe përkushtimit në punën e organeve të pushtetit lokal.

Ministri i uroi fituesit e çmimeve dhe u bëri thirrje të gjitha komunave që të shkëmbëjnë praktikat e mira dhe njohuritë, me qëllim bashkimin e potencialeve në rrugën drejt përmbushjes së standardeve të avancuara.

“E kemi vënë fuqishëm në lëvizje rrotën e përmirësimit të komuniteteve lokale në të gjitha fushat me rëndësi për arritjen e standardeve moderne. Do të vazhdojmë sistematikisht dhe me përgjegjësi”, deklaroi ministri Dukaj.

SHARE