Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi është shembull se si me zbatimin e reformave mund të bëhesh lider në rajon në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE), deklaroi ministrja e Austrisë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Beate Meinl-Reisinger.
Ajo, në një konferencë për shtyp pas takimit me ministrin e jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, tha se kjo është një dëshmi për vendet e tjera të rajonit se si zbatimi i reformave lehtëson rrugën për anëtarësim në BE.
“Austria është e përkushtuar për të mbështetur zgjerimin e BE-së dhe vendet kandidate duhet të përmbushin të gjitha kriteret. Por, nga ana tjetër, mendoj se nevojiten edhe reforma brenda vetë BE-së që procesi i anëtarësimit të mos jetë kaq burokratik”, theksoi Meinl-Reisinger.
Sipas saj, është e rëndësishme që Mali i Zi të ecë gradualisht drejt anëtarësimit, në mënyrë që qytetarët të ndjejnë përfitimet e jetës në Union.
“Qytetarët ndoshta tashmë kanë pasur mundësi të ndjejnë disa përfitime, siç është, për shembull, krijimi i zonës së përbashkët të roaming-ut”, shtoi ajo.
Ministri Ibrahimoviq deklaroi se vizita e ministres Meinl-Reisinger është dëshmi e marrëdhënieve miqësore dhe shumë të mira mes Malit të Zi dhe Austrisë, të cilat bazohen në besim të ndërsjellë.
Ai falënderoi Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën evropiane të Malit të Zi, duke theksuar se Austria është një nga partnerët më të fuqishëm të politikës së zgjerimit.
“E vlerësojmë veçanërisht rolin e Austrisë në Grupin e Miqve të Ballkanit Perëndimor. Miqtë tanë austriakë e kuptojnë mirë se sa e rëndësishme është integrimi për stabilitetin, jo vetëm të Ballkanit Perëndimor, por të gjithë Evropës”, theksoi Ibrahimoviq.
Ai theksoi se Mali i Zi është i vendosur që të përmbushë reformat deri në fund dhe të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2028.