MILLATOVIQ KA NISUR PROGRAM BURSASH PËR STUDENTËT MË TË MIRË

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka nisur një program bursash për studentët më të mirë nga Mali i Zi që studiojnë në universitete prestigjioze jashtë vendit.

Siç thuhet në njoftim, ai ka deklaruar se në Malin e Zi që është në proces ndryshimi, njohuria është burimi më i rëndësishëm që kemi, themeli i së ardhmes personale, shoqërore dhe shtetërore.

“Në një kohë kur është më e lehtë të largohesh, vendimi për t’u kthyer dhe për të qëndruar në vendin tënd, për të ndërtuar të ardhmen këtu, bëhet një akt përgjegjësie dhe dashurie ndaj atdheut,” thuhet në njoftim. Zyra e Presidentit të Malit të Zi ka shpallur Thirrjen Publike për ndarjen e dhjetë bursave për studentët që vazhdojnë studimet në universitete prestigjioze jashtë vendit.

“Kjo nismë dërgon një mesazh të fuqishëm mbështetjeje për dijen, përkushtimin dhe ekselencën, me synim që të mbështeten studentët të cilët me përpjekjet, rezultatet dhe ambiciet e tyre përfaqësojnë të ardhmen e Malit të Zi. Bursat, në shumën totale prej 50.000 euro (nga 5.000 euro për student), janë siguruar falë mbështetjes financiare të kompanisë ‘Mtel’,” thuhet në njoftim.

Të drejtë aplikimi kanë studentët që:

  • Kanë diplomën “Pishtar” (shpërblim për nxënësit e shkëlqyer në Mal të Zi),
  • Studiojnë në universitete të renditura lart në listën e Shangait,
  • Kanë arritje të dukshme akademike dhe çmime nga gara ndërkombëtare,
  • Vijnë nga familje që përfitojnë ndihmë sociale.

Afati për dorëzimin e aplikimeve është 10 ditë nga dita e shpalljes së Thirrjes Publike.

“I ftojmë të gjithë studentët që plotësojnë kushtet të aplikojnë dhe shprehim falënderimet tona të sinqerta për kompaninë Mtel që e ka njohur rëndësinë e investimit në arsim dhe zhvillimin e talenteve të rinj. Presidenti i Malit të Zi vazhdimisht punon për promovimin e dijes dhe krijimin e mundësive për të rinjtë, duke i njohur ata si potencialin kyç për zhvillimin e shoqërisë sonë. Të mësosh do të thotë të zgjedhësh rrugën më të vështirë, por të drejtë; të kthehesh dhe të qëndrosh do të thotë të besosh se Mali i Zi mund të jetë një atdhe i denjë për ëndrrat tona,” thuhet në njoftim.

SHARE