Dy persona u vranë në New Jersey pas përmbytjeve të menjëhershme në verilindje të Shteteve të Bashkuara që shkaktuan kaos në udhëtime, thanë autoritetet të martën, ndërsa rajoni përgatitej për më shumë shira të rrëmbyeshëm.
Një paralajmërim për përmbytje mbeti në fuqi për pjesë të New Jerseyt, ndërsa stuhia e verës që po lëviz ngadalë pritet të vazhdojë të shkaktojë përmbytje.
“Një masë ajri verore e pasur me lagështi mbi pjesën më të madhe të SHBA-së lindore dhe qendrore do të vazhdojë të çojë reshje në zona të ndryshme të vendit”, thanë autoritetet.
Shirat e rrëmbyeshëm përmbytën pjesë të New York-ut, New Jerseyt, Pennsylvanisë dhe Marylandit më herët.
Dy persona humbën jetën kur automjeti i tyre u përfshi nga uji i tërbuar i një lumi në Plainfield, një qytet në New Jersey, dhe skuadrat e emergjencave në vendngjarje nuk ishin në gjendje t’i shpëtonin, thanë zyrtarët lokalë.
Kjo vjen pas një stuhie tjetër që goditi qytetin më 3 korrik që mori po ashtu dy jetë njerëzish.
Në qytetin e New Yorkut, zyrtarët e emergjencës u thanë njerëzve që jetonin në zona të ulëta ose në apartamente në bodrume, të zhvendoseshin në vende më të larta.
Rrjedha uji të ndotur shiu mbushën rrugët kryesore të Manhatanit.
Disa stacione metroje u përmbytën dhe uji mbushi edhe trenat. Aeroportet JFK, LaGuardia dhe Newark pezulluan përkohësisht fluturimet.
Guvernatori i Nju Xhersit shpalli ndërkohë gjendjen e jashtëzakonshme duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë në shtëpi.